Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha për BBC-në se Shtetet e Bashkuara do t’iu kundërpërgjigjen veprimeve të pamatura ose agresive të Rusisë.
Kryediplomati amerikan tha se ShBA-ja është e përqendruar në veprimet si trajtimi i figurës opozitare ruse, Alexei Navalny, rasti i sulmit kibernetik “Solar Winds” dhe ndërhyrjet në zgjedhje.
Blinken ishte në Britaninë e Madhe për një takim të ministrave të jashtëm të G7-ës – grup i vendeve më të industrializuara të botës.
Në një deklaratë të lëshuar pas bisedimeve dyditore u kritikua Moska për sjelljen e papërgjegjshme dhe destabilizuese, sidomos kundër Ukrainës, dhe për sulmet kibernetike, transmeton Gazeta Enigma.
Blinken foli edhe për çështje tjera, përfshirë sjelljen e Kinës. Ai tha se shtetet duhet të shikojnë me kujdes nëse Kina është duke investuar në asetet e tyre strategjike.
Sa i përket Afganistanit, Blinken këmbënguli se Shtetet e Bashkuara janë duke qëndruar në lojë dhe se do të vazhdojnë që të angazhohen me këtë shtet, pavarësisht tërheqjes së trupave.