Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken sot, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka uruar të gjithë qytetarët e Serbisë për Ditën e Shtetësisë, duke theksuar se vendi i tij e vlerëson lart partneritetin strategjik me qëllim të avancimit më të sigurt dhe më stabil të ardhmërisë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin ambiciet evropiane të Serbisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së për këtë qëllim të rëndësishëm. Kam përshëndetur angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët amerikanë, BE, francezë, gjermanë dhe italianë gjatë vizitës sime të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do t’i sjellë siguri dhe prosperitet Serbisë, Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur këto qëllime, por shpërblimi për popujt e gjithë rajonit – do të jetë i madh”, ka porositur ai në kumtesën e publikuar në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit të SHBA.
Blinken gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë.
“Shtetet e Bashkuara presin të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, ka paralajmëruar ai.