Sanksionet britanike ndaj Roman Abramovichit nënkuptojnë se shitja e Chelseat është bllokuar.
Shitja e klubit londinez mund të bëhet vetëm nëse qeveria britanike lëshon një dokument të veçantë, për t’u siguruar se asnjë cent nga shitja nuk do t’i shkojë oligarkut rus.
Sanksionet britanike ndaj pronarit të Chelseat, Roman Abramovich, kanë goditur rëndë klubin londinez.
Britania vendosi që të gjitha asetet e Abramovichit të ngrihen.
Chelsea mund të operojë ende nën një licencë të veçantë, por shitja tani mbetet pezull. Klubit nuk i lejohet të shesë më asnjë biletë, përveç ata që kanë blerë bileta sezonale mund të jenë të pranishëm në “Stamford Bridge”.
Asnjë lojtar nuk mund të shitet gjatë kësaj periudhe apo t’i rinovohet kontrata derisa klubi të kalojë nën pronësinë e dikujt tjetër. Ashtu siç nuk mund të transferojë asnjë lojtar.
Abramovich e ka vendosur në shitje Chelsean javë më përpara, duke parashikuar sanksione të tilla. Ai po shqyrton ofertat përpara se të vendosë se kujt t’ia shet klubin, që është kampion në fuqi i Evropës.
Shitja e Chelseat mund të bëhet përmes një dokumenti të veçantë që do të lëshohet nga qeveria britanike, ku do të sigurohen që Abramovich të mos marrë asnjë cent nga shitja e klubit.
Sanksionet janë në fuqi deri më 31 maj 2022, përveç nëse revokohet ose klubi shitet.