Bojan Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim për spiunazh

Bojan Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 6 vjet burgim ish-togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, pasi paraprakisht u aprovua marrëveshja për pranimin e fajësisë lidhur me akuzat për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit, Jevtiq është dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale “Spiunazhi”, ndërsa për armëmbajtje pa leje iu shqiptua gjobë prej 2 mijë eurosh. Gjykata vendosi dënim unik prej 6 vitesh burgim dhe gjobë në të njëjtën shumë.

Po ashtu, ndaj tij është vazhduar masa e paraburgimit, ndërsa është urdhëruar konfiskimi i të gjitha sendeve të sekuestruara dhe shkatërrimi i armës së gjetur.

I dënuari është ndaluar gjithashtu të ushtrojë funksione publike në administratën shtetërore për një periudhë prej pesë vitesh pas përfundimit të dënimit me burgim.

Sipas aktakuzës, Jevtiq akuzohej se kishte transmetuar informacione dhe dokumente të klasifikuara te BIA, duke rrezikuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Related Articles