Bordi i RTK-së përmes një vendimi tregon arsyet e shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm

Bordi i RTK-së përmes një vendimi tregon arsyet e shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm

Bordi i Radiotelevizonit të Kosovës ka publikuar vendimin për shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

Sipas këtij vendimi, thuhet se Kastrati ka dështuar në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektikve dhe ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për RTK-në.

Në njoftim thuhet se me nëntë vota PËR dhe asnjë KUNDËR, Kastrati u shkarkua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Në njoftimin e tyre thuhet se Bordi i RTK-së konstatoi një neglizhencë të Drejtorit të Përgjithshëm ndaj parregullsive, keqpërdorimeve, mospunës, nepotizmit, degradimit, raportimit të vazhdueshëm të anshëm e jo objektiv të transmetuesit publik të Kosovës. 

“Deri me datën 31 dhjetor të vitit 2021, RTK ka pasur 239 persona të angazhuar me kontrata për shërbime. Shumë prej tyre janë angazhuar për punët më esenciale të funksionimit të RTK-së, si: gazetarë, kameramanë, montazhierë, punëtorë të sigurimit, etj. Për më tepër, z. Kastrati e ka konfirmuar përmes kanaleve zyrtare se funksionimi i shumë njësive të RTK-së varet nga personat e angazhuar me këto kontrata”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe, në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe vet Kastrati, i cili tha se lajmin e mori sa ishte në shtëpi, pasi që ishte i infektuar me COVID.

“Njoftimin për shkarkim e morra në shtëpi, ku jam prej disa ditësh në izolim si rezultat i infektimit me Covid. Perveq tjerash une as nuk jam njoftuar per ndonje procedure te shkarkimit dhe as nuk ka pasur ne rend te dites pike per shkarkimin tim”, ka shkruar ai.

Tutje, Kastrati thotë se që nga ardhja e re e qeverisë Kurti, është ballafaquar me shantazhe e presion të tyre për t’i larguar qindra punëtorë nga puna.

“Që nga ardhja e anëtarëve të Bordit të ri të qeverisë Kurti, jam ballafaquar me shantazhe e presion të tyre për t’i larguar qindra punëtorë nga puna, në këmbim të vazhdimit të punës sime në këtë pozitë deri në fund të mandatit në prill 2022”, thekson ai. /Gazeta Enigma/.

Related Articles