Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka vlerësuar vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë ndjekur politikën e BE-së për sanksionet ndaj Rusisë.
Ai ka vlerësuar edhe rreshtimin e Kosovës krah BE-së, duke thënë se as nuk ka qenë e obliguar që ta bëjë një gjë të tillë, duke marrë parasysh që disa vende anëtarë s’e njohin pavarësinë e saj.
“Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë rreshtuar krejtësisht me vendimet tona për siguri dhe politikë të jashtme dhe për shkak të kësaj mund të jenë të ekspozuar më shumë ndaj kërcënimeve të Rusisë. Qëndrimi krah nesh për ta mbrojtur ligjin ndërkombëtar mund ta ketë një kosto. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë konsideruar si vende mike të Rusisë”.
“Edhe Bosnjë e Hercegovina është rreshtuar krah nesh për masat ndaj Rusisë. Kështu ka bërë edhe Kosova, edhe pse s’e ka pasur obligim ta bëjë këtë, sepse Kosova nuk njihet nga disa vende anëtare. Është e rëndësishme që t’i bësh këto dallime”.
Shefi i diplomacisë evropiane i ka bërë këto komente pas mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme dhe drekës joformale me kryediplomatët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Borrell e ka kritikuar Serbinë për mossanksionimin e Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës, duke kërkuar që një gjë të tillë ta bëjë sa më parë, pasi afërsia me regjimin e Putinit nuk përputhet me politikat e BE-së.
“Diskutuam të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rrugën e tyre në BE. Ne vlerësojmë zgjedhjet e atyre partnerëve që janë rreshtuar plotësisht me politikat tona të jashtme në sanksione. Jo të gjitha, por shumica prej tyre. Ministrat [e Këshillit të Punëve të Jashtme] kanë shprehur pritjet e tyre të qarta karshi partnerëve, si anëtarë të ardhshëm të BE-së, që të angazhohen në vlerat evropiane dhe politikës së jashtme evropiane. Ata që nuk kanë vepruar kështu, dhe Serbia është një nga to, duhet që sa më shpejt që munden të implementojnë sanksionet. Ne i kuptojmë vështirësitë dhe e vlerësojmë shumë faktin që të gjitha kanë votuar kundër Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ne presim nga vendet kandidate dhe partnerët tanë që të angazhohen plotësisht në politikën e jashtme evropiane”.
“Për mua është e qartë si Përfaqësues i Lartë dhe shumë nga kolegët në Këshillin e Punëve të Jashtme] që të mbash lidhje të afërta me regjimin e Putinit nuk është më në pajtueshmëri më ndërtimin e një të ardhmen me BE-në. Të dyja gjërat njëkohësisht nuk shkojnë. Të jesh neutral sot është një koncept fals”./Gazeta Enigma/