Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja e mirëpret planin 50 miliardë dollarësh të propozuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të qenë në gjendje që ta vaksinojmë 40% të popullsisë botërore në vitin 2021 dhe 60% të saj deri në mes të vitit 2022
“Për ta arritur këtë qëllim, ne kemi nevojë për veprim shumëpalësh të bashkërenduar ngushtë. Ne duhet t’u rezistojmë rreziqeve që i paraqet “diplomacia e vaksinave”, me të cilën sigurimi i vaksinave po lidhet me qëllimet politike dhe “nacionalizmin e vaksinave”, duke i rezervuar vaksinat për vetvete. Ndryshe nga të tjerët, BE-ja i ka refuzuar të dyja që nga fillimi i pandemisë. Deri tani, ne kemi qenë aktori i vetëm global që po vaksinon popullatën e vet ndërsa, në të njëjtën kohë, eksporton sasi të mëdha të vaksinave dhe që i ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme shpërndarjes së vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta. Evropianët mund ta ndjehen krenarë për këtë fakt”.
Borrell ka thënë se BE-ja me shtetet anëtare dhe institucionet financiare të saj – atë që quajnë si “Ekipi i Evropës” – po u jep si donacion vaksina fqinjëve në nevojë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.
“Ajo synon t’i jep si donacion së paku 100 milionë doza më shumë për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme para fundit të vitit 2021, siç është rënë dakord në Këshillin Evropian të fundit. Me 2.8 miliardë euro, Ekipi i Evropës ka qenë gjithashtu kontribuuesi kryesor në strukturën e COVAX-it, i cili ua mundëson vendeve të varfra që të kenë qasje në vaksina; rreth një e treta e të gjitha dozave të COVAX-it që janë shpërndarë deri më tani janë financuar nga BE-ja. Sidoqoftë, kjo përpjekje është ende larg nga të qenit e mjaftueshme për ta parandaluar zgjerimin e hendekut të vaksinimit”.
“Për ta plotësuar këtë hendek, vendet që i kanë njohuritë dhe mjetet e nevojshme duhet t’i rrisin kapacitetet prodhuese të tyre, në mënyrë që të munden edhe t’i vaksinojnë popullatat e tyre, edhe të eksportojnë më shumë vaksina, siç po bën BE-ja. Në bashkëpunim me prodhuesit e vaksinave, ne po punojmë që t’i rrisim kapacitetet e prodhimit të vaksinave të BE-së në më shumë se 3 miliardë doza në vit deri në fund të vitit 2021. Partnerët tanë industrialë evropianë janë zotuar t’i shpërndajnë 1.3 miliardë doza të vaksinave para fundit të vitit 2021, nëpër vendet me të ardhura të ulëta pa ndonjë profit, ndërsa nëpër vendet me të ardhura të mesme me çmime më të ulëta. Ata po ashtu janë zotuar t’i shpërndajnë edhe mbi 1.3 miliardë doza për vitin 2022 – shumë nga të cilat do të shpërndahen përmes COVAX-it”, ka thënë Borrell.