Borrell falënderon Escobarin për ndihmën në zgjidhjen e situatës së fundit mes Kosovës dhe Serbisë

Borrell falënderon Escobarin për ndihmën në zgjidhjen e situatës së fundit mes Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell, duke lavdëruar marrëdhëniet e mira të BE-së me SHBA-në ka përmendur edhe situatën e fundit të krijuar në veri të Kosovës, duke falënderuar edhe emisarin amerikan Gabriel Escobar për rolin e tij në bisedimet e fundit Kosovë-Serbi.

“Gjithashtu, në Ballkanin Perëndimor, unë duhet të them se bashkëpunimi me SHBA-në është shumë më i mirë. Në krizën e fundit mes Kosovës dhe Serbisë – e cila u zgjidh falë punës së mirë të emisarit tonë të posaçëm Miroslav Lajçak – duhet të them se bashkëpunimi ynë me emisarin e SHBA-së ishte shumë pozitiv”, ka thënë Borrell para anëtarëve të Parlamentit Europian.

“Ne të gjithë pajtohemi që SHBA-ja mbetet partneri strategjik më i afërt dhe i rëndësishëm i BE-së. Kështu ka qenë dhe kështu duhet të vazhdojë të jetë. Dhe nuk duhet pasë dyshime për këtë”.

Megjithatë, Borrell ka thënë se pavarësisht lidhjes së fortë që ka BE me SHBA-në, duhet të fokusohen edhe në autonominë e tyre.

“Marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara është, sigurisht, shtylla më e fortë e lirisë dhe prosperitetit tonë. Ne duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë atë, por në të njëjtën kohë, ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë autonominë tonë, sepse interesat tona nuk do të përputhen bash gjithmonë”.

Related Articles