Kryediplomati evropian, Josep Borrell, vlerësoi se pajtimi në rajon pas luftërave të viteve 1990 është përgjegjësi e të gjithëve dhe se liderët e vendeve duhet të refuzojnë retorikën e ndarjes.
Në një tekst autori për gazetën Politika, ai deklaroi se një nga kapitujt më të errët në historinë moderne evropiane u shkrua në korrik 1995, duke deklaruar se më shumë se 8,300 djem dhe burra u vranë sistematikisht dhe u varrosën në varre masive në kodrat përreth Srebrenicës.
“Ekziston ende një tendencë shqetësuese e mohimit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin. Çdo mohim i gjenocidit është një shuplakë në fytyrën e drejtësisë dhe një pengesë për pajtimin. Qëndrimi i BE-së është i qartë – nuk ka vend për mohimin e gjenocidit , revizionizëm historik apo glorifikimi i kriminelëve të luftës në shoqëritë që vlerësojnë të vërtetën dhe drejtësinë”, shtoi ai.
Shefi i diplomacisë evropiane theksoi më tej se 29 vjet më vonë, “14 prej atyre viktimave, të cilat u identifikuan së fundi”, do të gjejnë qetësinë e tyre në Qendrën Përkujtimore dhe Varrezat e Srebrenicës – Potoçari.
Borrelli mes tjerash theksoi se pajtimi është përgjegjësi e të gjithëve dhe se duhet të bëhet praktikë e përditshme e kudogjendur në politikë, arsim dhe çdo sferë tjetër të përditshmërisë.
“Roli i liderëve politikë në rajon është, mbi të gjitha, të refuzojnë retorikën e ndarjes dhe të promovojnë në mënyrë aktive pajtimin, i cili, përsëri, kërkon respekt për faktet historike, nderim për viktimat dhe nxitjen e një kulture paqeje dhe bashkëpunimi”, shtoi zyrtari i lartë i BE-së.
Ai vuri në dukje se Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kanë vërtetuar padiskutim se ky krim është gjenocid.