Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij gjerman, Johann Wadephul, pas takimit që ky i fundit pati me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Nju Jork.
Sipas Sybihas, Wadephul e ka informuar atë për bisedën me Lavrovin, ndërsa dy kryediplomatët kanë diskutuar për hapat e ardhshëm të përbashkët për avancimin e përpjekjeve për paqe dhe arritjen e një armëpushimi.
“I jam mirënjohës ministrit Wadephul që i përcolli palës ruse qëndrimet tona të përbashkëta të forta: këmbënguljen që Moska të përfundojë luftën e saj, riafirmimin e mbështetjes së palëkundur për Ukrainën dhe paralajmërimin kundër veprimeve të mëtejshme armiqësore kundër Evropës”, ka shkruar Sybiha.
Ai ka bërë të ditur se gjatë telefonatës është diskutuar edhe për mënyrat e rritjes së presionit ndaj Rusisë dhe forcimit të qëndrueshmërisë së Ukrainës përpara dimrit.
“Diskutuam hapat e ardhshëm të përbashkët për të çuar përpara përpjekjet për paqe dhe për të arritur një armëpushim”, ka deklaruar kryediplomati ukrainas.
Sybiha ka falënderuar gjithashtu Gjermaninë për mbështetjen ndaj Ukrainës.
Takimi mes Wadephulit dhe Lavrovit në Nju Jork ishte i pari mes ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Rusisë që nga viti 2022.
