Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka folur përpara mediave pas takimeve maratonike sot në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq ku ka thënë se për fat të keq nuk ka pasur marrëveshje.
“Sot jemi takuar me kryeministrin Kurti dhe pastaj me presidentin Vuçiq për të diskutuar për situatën dhe për të shpjeguar se rruga e vetme përpara është normalizimi përmes dialogut dhe se BE kërkon normalizim marrëdhëniesh midis dy vendeve dhe kemi pasur një pengesë të madhe që ka të bëjë me formimin e Asociacionit në Kosovë dhe në mënyrë që t’i afrojmë palët drejt një marrëveshje, ne propozuam në propozim të balancuar, evropian për Asociacionin dhe insistuam te palët që të marrin këtë rast që do të ishte hap i madh përpara”, ka thënë Borrell.
Borrell ka shtuar se palët nuk ishin të gatshme të pajtohen pa parakushte, ndërsa ka treguar se ka kërkuar nga palët që seriozisht të angazhohen në procesin e normalizimit që mund të bëhet vetëm nëpërmjet dialogut.
“Për fat të keq, palët nuk ishin të gatshme të pajtohen me këtë pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër dhe në fund, ne kërkuam palët që seriozisht të angazhohen në procesin e normalizimit që mund të bëhet vetëm nëpërmjet dialogut, sepse është mënyra e vetme të avancojnë në rrugën evropiane, ne do të vazhdojmë të angazhohemi për arritjen e një marrëveshjeje, por sot për fat të keq, nuk ishte e mundur pa parakushte nga njëra palë që ishte e papranueshme nga pala tjetër”, ka thënë Borrell.