Ligjvënësit serbë votuan për të filluar punën për tërheqjen e Republikës së tyre autonome Serbe nga forcat e armatosura, sistemi gjyqësor dhe sistemi tatimor i Bosnjës, në një mocion jodetyrues, që praktikisht hap rrugën për shkëputjen nga Bosnja.
Të tre institucionet përfaqësojnë shtyllat kryesore të sigurisë së përbashkët, sundimit të ligjit dhe sistemit ekonomik në Bosnje, e cila u nda në dy rajone autonome – Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga kroatët dhe boshnjakët – pas luftës së viteve 1992-1995.
Ligjvënësit votuan edhe një deklaratë që bën thirrje për hartimin e një kushtetute të re për entitetin e Republikes Serbe, ndërsa nënvizon se “të gjitha ligjet e imponuara” nga Përfaqësuesi i lartë Ndërkombëtar në Bosnjë, janë “jokushtetues”.
Parlamenti i entitetit serb u mblodh në një periudhë kur anëtari serb i presidencës trepalëshe boshnjake, Milorad Dodik, shtoi fushatën e tij për shkëputje nga Bosnja pavarësisht kërcënimit për sanksione të reja nga Shtetet e Bashkuara dhe vendeve të tjera.
Dodik tha se ky ishte një sesion historik i parlamentit që do të forcojë minishtetin serb të Bosnjës, i themeluar si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, që i dha fund luftës në Bosnjë në 1995.
“Në gjashtë muajt e ardhshëm, ne do të bisedojmë dhe do të shohim nëse ka një mundësi për të formuar një strukturë të re të forcave të armatosura, duke marrë parasysh pozicionin tonë, ose do të zgjedhim ndonjë nga mundësitë e mëposhtme: të formojmë një ushtri të Republikës Serbe, ose ne dorëzojmë ligjin për çmilitarizimin e përgjithshëm të Bosnjës”, deklaroi ai, ndërsa e quajti Bosnjën një “shtet në letër” ./Gazeta “Enigma”/