Dy persona dyshohet se kanë kryer vetëvrasje ditën e premte në Kosovë.
Policia bën të ditur se njëri rast ka ndodhur në Pejë dhe tjetri në Podujevë, sipas raportimeve viktimat janë dy meshkuj.
Në njoftimin e bërë nga Policia, thuhet se viktima në Pejë ka vuajtur nga depresioni dhe se dyshohet se ai është hedhur nga ballkoni i katit të dytë të shtëpisë.
“Raportohet se viktima mashkull kosovar sipas dëshmitarëve (bashkëshortes, djalit dhe një kushëriri të viktimës) kohëve të fundit ka vuajtur nga depresion dhe dyshojnë se viktima është hedhur nga një ballkon i katit të dytë të shtëpisë. Viktima është dërguar në Spitalin e Pejës, ku mjeku përgjegjës ka konstatuar se trupi i viktimës është pa shenja jete. Njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, për rastin në Podujevë, Policia thotë se viktima është gjetur nga tre persona.
“Raportohet se viktima mashkull kosovar, dyshohet të ketë kryer vetëvrasje. Viktimën e kanë gjetur tre dëshmitarë. Njësitë relevante policore dhe një ekipe e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, stafi përgjegjës i emergjencës ka konstatuar se trupi i viktimës është pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”.