Politolgu i njohur, Janusz Bugajski ka dhënë një intervistë për The Geopost, ku ka folur rreth çështjeve me rëndësi në Ballkanin Perëndimor si dhe lufën në Ukrainë.
Ai ka thënë se duhet bërë dallimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ka treguar mbështetjen për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin, në kohën kur kryhen krime ndaj Ukrainës.
Për Bugajskin, Kosova ka shumë ngjashmëri me Ukrainën.
Intervista e plotë:
The Geopost: Sa i rrezikuar është Ballkani Perëndimor nga ndikimi rus? A mendoni se Rusia po zbehet pas pushtimit në Ukrainë?
Bugajski: Mendoj se Rusia ka depërtuar gjerësisht në rajon gjatë 10-12 viteve të fundit. Sigurisht, gjatë viteve të fundit Putini kuptoi se kishte ende çështje të pazgjidhura në Ballkan, të cilat ai mund t’i shfrytëzonte në avantazh të Rusisë. Pra, Rusia ka depërtuar në disa vende më shumë se në disa të tjera, natyrisht. Ka depërtuar në sistemet politike, strukturat e sigurisë, rrjetet e inteligjencës, mjedisin mediatik, disa organizata fetare, organizata kulturore. Pra, përtej kufirit do të thosha se Serbia dhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë janë më të prekurat, drejtpërdrejt. Në një shkallë të tillë që do të thosha se Vuçiq dhe Dodik po veprojnë si përfaqësues të Moskës në rajon. Ka shumë për të debatuar në lidhje me atë se çfarë mund të bëjë Rusia, por unë do të thoja se lufta në Ukrainë, lufta që Rusia filloi në Ukrainë dhe fakti që nuk po shkon shumë mirë do ta inkurajojë Rusinë të jetë më provokuese në rajonet ku ka mundësi që të minojnë interesat perëndimore, rajone këto ku mund të preokupohet NATO-n dhe natyrisht, kandidati më i madh këtu është Ballkani Perëndimor.
The Geopost: Elita politike në Kosovë vazhdimisht po bën thirrje për anëtarësimin e vendit në NATO. A mendoni se tani është koha e duhur?
Bugajski: Absolutisht. Nuk do të mund të pajtohesha më shumë me ta. Kjo për dy gjëra. Një, qeveria e Vuçiqit e ka treguar shumë më qartë se më parë se është aleate me Rusinë, aleate me regjimin e Putinit. Nuk ka vënë sanksione së bashku me të tjerët. Deri vonë, ajo ende lejonte fluturimet ruse në Beograd. Ajo nuk ka vendosur asnjë embargo tregtare apo energjitike, siç po bëjnë një numër në rritje i vendeve. Ka lidhje tepër të ngushta, inkurajon demonstratat në mbështetje të Putinit, në mbështetje të luftës kundër Ukrainës dhe ne kemi parë shumicën e demonstratave, jo të gjitha sigurisht, por shumica e demonstratave në Beograd kanë qenë pro Putinit dhe pro- Moskës. Pra, kjo është, do të thoja, njëra anë. Kosova duhet të dallohet në njëfarë mënyre nga Serbia. Në shumë aspekte, do të thosha, mund të krahasohet me Ukrainën.
Me fjalë të tjera, nëse Ukraina do të kishte qenë një anëtare e NATO-s disa muaj më parë apo edhe disa javë më parë, nuk mendoj se Rusia do të kishte ndërhyrë, sepse ato do të kishin provokuar një reagim amerikan. Gabimi ynë ishte që nuk i integruam këto vende, veçanërisht Gjeorgjinë dhe Ukrainën, kur ishte e mundur. Pra, Kosova gjendet në një situatë të ngjashme. Mbrojtja më e mirë që mund të ketë Kosova nga çdo lloj hakmarrjeje nga Serbia do të ishte të jetë pjesë e NATO-s. Nuk po them se Serbia do të sulmojë, por vetë Kosova do të ndihej më e sigurt. Pra, në këtë aspekt do të thosha se është një mundësi e mirë që Kosova të tregojë orientimin e saj pro NATO-s, pro-perëndimit, pro-demokracisë. Kështu që unë mendoj se ky është një moment i mirë për të bërë thirrje për anëtarësim në NATO e gjithashtu në BE.
The Geopost: A mendoni se Kosova po tregon orientimin e saj pro NATO-s? A është Kosova e qartë në rrugën e saj politike?
Bugajski: Gjithmonë mund të bëhet më shumë. E di që është më e lehtë të thuash “bëj më shumë” kur nuk je brenda. Kur je në qeveri është pak më e vështirë. Për shkak të kufizimeve, për shkak të presioneve nga disa vende evropiane, madje edhe presionit nga Departamenti ynë i Shtetit. Por mendoj se qeveria është duke punuar mirë, mendoj se e ka deklaruar qëndrimin e saj dhe mendoj se është shprehur se cilat janë aspiratat e Kosovës. Është e ditur se Kosova është ndoshta vendi më proamerikan në rajon. Jam i sigurt se kosovarët do të ishin të gatshëm të luftonin përkrah shokëve të tyre amerikanë në NATO, nëse do të duhej. Sigurisht që duhen bërë shumë reforma ushtarake, shumë riorganizime e kështu me radh, për të përmbushur të gjitha standardet e NATO-s. Le ta themi kështu, nëse nuk kërkon diçka, nuk do ta marrësh kurrë. Nëse pyet për diçka, mund të mos e marrësh menjëherë, por njerëzit e kujtojnë se ajo është çfarë dëshiron.
The Geopost: Rusia tashmë po akuzohet për krime lufte nga shumë shtete dhe organizata. Shumë vende kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Si mendoni se do të përfundojë kjo luftë?
Bugajski: Epo, nuk po shkon mirë për ta. Ata prisnin, sipas të gjitha planeve, organizimeve, përgatitjeve, logjistikës dhe gjithçkaje, që kjo të mbaronte brenda pak ditësh. Me fjalë të tjera, se ata do të marshonin në Kiev, se qeveria do të rrëzohej, se ata mund të vendosnin një lloj administrate kukull, se ata mund të kontrollonin ushtrinë ukrainase. Me fjalë të tjera, po përdornin shembullin e vitit 2014. Ajo që ata nuk e kuptuan, ose le të themi inteligjenca e tyre ushtarake nuk ishte aq e aftë për të kuptuar, është se në 8 vitet e kaluara Ukraina ndërtoi një ushtri të fortë, edhe pse nuk i kishte marrë të gjitha armët që kërkonte. Do të mund ta imagjinoja nëse ata do të kishin marrë të gjitha armët që dëshironin, ushtria ruse me siguri do të ishte mundur prej tyre tani. Por ata nuk i morën. Pra, është ende një luftë në vazhdim. Por ajo që unë mendoj është se rusët e kanë llogaritur krejt gabimisht është vendosmëria e popullit ukrainas. Kur mbron shtëpinë tënde, kur mbron familjen tënde, tokën, territorin tënd, historinë tënde, identitetin tënd, ti lufton shumë më fort se kur je duke pushtuar dhe duke u përpjekur të imponosh diçka në një vend tjetër. Kështu që unë mendoj se ishte një gabim i madh në inteligjencën ushtarake ruse. Ishte një gabim i madh politik për rezistencën e Ukrainës. Dhe për sa i përket mënyrës se si do të shkojë, nuk mund ta parashikoj saktësisht se si do të përfundojë. Mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Çdo luftë, siç e dini, ka ulje-ngritje. Kjo varet pjesërisht se çfarë bëjnë rusët më pas. Ata po tërhiqen nga disa pjesë të qarkut, disa pjesë të Ukrainës së pushtuar. A do të shkojnë në pjesë të tjera për të forcuar miqtë në rajonin e Donbasit, për të kapur më shumë territor atje?
Ata qartësisht po përpiqen të marrin më shumë trupa nga i gjithë vendi. Ka raportime nga Lindja e Largët, se ata madje po tërheqin trupat nga Gjeorgjia për të shkuar dhe për të luftuar në Ukrainë. Kështu që ata po bëhen gjithnjë e më të dëshpëruar. Ajo që do të jetë interesante është rekrutimi i pranverës. Me fjalë të tjera, ata kanë rekrutim ushtarak që vjen pas disa javësh. Do të shohim se sa njerëz do të përpiqen të shmangin detyrimin ushtarak. Sepse unë mendoj se tani rusët e kuptojnë se rekrutët e tyre, njerëzit që do të thirren, do t’i dërgojnë si ushqim për top në Ukrainë. Pra, sa e madhe do të jetë kjo rezistencë, mendoj se do të jetë tepër e rëndësishme për sa i përket aftësisë së ushtrisë ruse për të përballuar humbje të tilla. Vlerësimet e fundit, madje edhe vlerësimet konservatore, thonë ata kanë humbur të paktën 15,000 trupa. Të vdekur, të vrarë në aksion. Kjo është më shumë se sa ata humbën në 10 vjet në Afganistan. Ky është një muaj. Plus qindra tanke, automjete të blinduara, aeroplanë, helikopterë, çfarëdo të jetë, ata i kanë humbur. Ky ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm, nëse jo një fitore e plotë për ushtrinë ukrainase. Dhe unë mendoj se çdo sukses sjell më shumë sukses, por njeriu duhet të jetë gjithmonë i kujdesshëm sepse Rusia ka armë që nuk i kanë ukrainasit. Ata kanë ende fuqinë ajrore që Ukraina nuk mund ta përballojë plotësisht. Kështu që ka ende shumë rrugë për të bërë do të thoja.
The Geopost: E ardhmja e Rusisë?
Bugajski: Meqë jemi këtu, unë kam shkruar dhe kam mbaruar një libër pak para se të fillonte lufta. Dhe quhet “Shteti i dështuar: Një udhëzues për dështimin e Rusisë.
Unë besoj, në fakt, se Rusia përfundimisht do të shpërbëhet. Shteti siç ekziston tani, kjo Federatë Ruse, e cila në të vërtetë nuk është një federatë (pak a shumë si Federata Jugosllave) nuk do të zgjasë shumë, do të shembet. Dhe unë mendoj se lufta në të cilën Putini e çoi Rusinë, në të cilën Kremlini e drejtoi Rusinë, do ta përshpejtojë procesin. Kështu që libri im do të dalë pas disa javësh, më duhet vetëm ta përditësoj me luftën. Por në thelb, gjithçkaje që kam shkruar para luftës i përmbahem.