Bunjaki rrëfehet për “Enigmën”: Sfidat e futbollit kosovar ndër vite si dhe momenti i sikletshëm kur u lëshua për herë të parë himni i Kosovës

Bunjaki rrëfehet për “Enigmën”: Sfidat e futbollit kosovar ndër vite si dhe momenti i sikletshëm kur u lëshua për herë të parë himni i Kosovës

Republika e Kosovës sot feston 14 vjetorin e Ditës së Pavarësisë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Shumëkush pas pavarësimit të shtetit kishte pritur që edhe futbolli kosovar të pranohej në UEFA dhe FIFA. Kjo ndodhi vetëm pas disa viteve. Më saktësisht Federata e Futbollit e Kosovës së pari u pranua në UEFA me 3 maj të vitit 2016, kurse pas dhjetë ditësh FFK-ja u bë pjese edhe FIFA-s. Atë kohë President i FFK-së ishte i ndjeri, Fadil Vokrri.

Në katërmbëdhjetë vjetorin e shtetësisë, Gazeta “Enigma” e ka intervistuar kryetrajnerin, Albert Bunjaki, i cili ishte që nga vitit 2009 pjesë e ekipit ku kishte marrë një rol mjaftë të rëndësishëm.

Përveç pavarësimit të shtetit, edhe futbolli morri hov tjetër në krye me krerët e federatës dhe stafit teknik. Sipas, Bunjakit momenti kur Kosova është shpallur e pavarur ka qenë optimizmi i madh, por sipas tij Kosova zhvillimin më të madh e ka marrë pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

“Mendoj futbolli kosovar është zhvilluar pas pavarësisë, sepse u kanë ai momenti kur optimizmi rritet. Mirëpo, zhvillimin më të madh futbolli i Kosovës e ka marrë pas pranimit të UEFA dhe FIFA. Por, nëse e ndajmë në dy periudha, atëherë sigurisht që menjëherë pas pavarësisë është rritur optimizmi, shpresa dhe besimi që tash duhet me u kanë pjesë e UEFA-s e FIFA-s”, tha Bunjaki.

Ish-selektori i Kombëtares së Kosovës në futboll, ka treguar se ai kishte pasur shpresa që pas shpalljes së pavarësisë, brenda 2-3 viteve FFK-ja do pranohej në UEFA dhe FIFA, por që në fund kishte zgjatur më shumë.

“Unë kam menduar që normalisht pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 nuk do shkonte kohë e gjatë dhe do pranoheshim edhe në UEFA e FIFA. Ne kemi pasur shpresë që brenda 2-3 viteve të jemi anëtare të plota, mirëpo kohëzgjatja në një aspekt na kë bë dëm, kurse në aspektin tjetër na ka motivua që të punojmë edhe më shumë. Por, absolut kemi menduar që si proces do të shkonte më shpejtë, kemi shpresuar që kampionatin ne 2012 me e zënë”, shtoi ish-selektori i Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës dhe futbolli vendor gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve sigurisht se ka pasur ngritje të mëdha në cilësi, infrastrukturë, organizim dhe gjithçka tjetër.

Ish-përzgjedhësi i “dardanëve” ka treguar dallimin mes këtyre kohërave sa ishte

“Realisht në momentin kur jam kyç unë, për mua ka qenë si me kanë pjesë e pranume. Ne kemi punuar edhe më herët në mënyrë që të jemi të gatshëm dhe sa më të përgatitur. Dallimi është esencial se para vitit 2008 edhe pse unë s’kam qenë, kanë qenë trajnerë tjerë, unë e kam zënë momentin e 2009, atëherë kur filluam të mënojmë më shumë për kualifikimet me Kombëtaren për 2012, nëse nuk do ndodhte me shpresu për 2014 ose 2016”, vazhdoi Bunjaki.

Futbolli vendor është duke përparuar vit pas viti dhe se skuadra këtu janë duke investuar me shifra që vite më parë as do besoheshin. 50-vjeçari ka theksuar se tashmë është koha e projekteve dhe se zhvillimi duhet të vazhdoj edhe më tutje.

“Po ka zhvillim, ka zhvillim shumë, shumë të madh. Ne atëherë kemi pasur vetëm një objekt për ndërkombëtarizmin, ndërkaq tashmë është koha e projekteve. Përvojat janë rritur tek të gjithë. Është shpresuar që të ketë zhvillim dhe pres që ky zhvillim me vazhdu edhe më tutje“, theksoi 50-vjeçari.

Për fund, Albert Bunjaki, ka treguar një moment interesant që i kishte ndodhur pikërisht në përvjetorin e dytë të pavarësisë, në vitin 2019.

“Një moment interesant më ka ndodhë pikërisht në përvjetorin e dytë të pavarësisë, pra me 17 shkurt të vitit 2010. Ka qenë loja ime e parë në miqësoren ndërmjetë Kosovës dhe Shqipërisë në Prishtinë, ku ne kemi humbur me rezultat 3-2. Loja ishte vazhduar për 6 minuta dhe gjyqtar ka qenë Përparim Hasani, me të cilin unë sot bashkëpunoj në VAR dhe para pak ditësh ia kam përmend se pse e ke vazhdu ndeshjen për 6 minuta, sepse rezultati ishte 2-2, kurse goli i tretë ishte shënuar në minutën e 96-të”.

“Mirëpo, atë ndeshje e mbajë mend kur është lëshu himni kombëtar krejt lojtarët e vendosën dorë në zemër, kur erdhi radha e himnit të Kosovës të gjithë lojtarët vendosen dorën në zemër, por publiku filloi të vërshëllente, sepse ka qenë hera e parë që publikisht në lojë të futbollit e kemi dëgjuar himnin e Kosovës. Lojtarët më pastaj filluan me largu dorën nga zemra dhe na shikojshin neve stafin se qysh me reagu. Ne vazhduam me mbajte dorën në zemër, sepse ishte një ndjenjë që u zumë të papërgatitur, nuk e kishim menduar një gjë të tillë që dikush ta vërshëllente himnin e shtetit tënd. Ka qenë një moment me ndjenja shumë të përziera”, përfundoi rrëfimin Albert Bunjaki.

Kujtojmë që Albert Bunjaki është rikthyer të punojë në Federatën e Futbollit të Kosovës, ku është angazhuar si drejtor teknik në vend të larguarit Michael Ness.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles