Po vazhdon fushata “Mos bli produkte serbe, Besa – Besë” për bojkotimin e produkteve serbe në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ndonëse ritmi i kësaj fushate herë intensifikohet e herë bie, nismëtaret e kësaj fushatë thonë se impakti final i saj kërkon kohë, duke pasur parasysh që kërkohet vetëdisim i qytetarëve për të mos konsumuar produkte serbe të cilat i kanë konsumuar për mbi dy dekada.
Iniciatori i fushatës “Mos bli produkte serbe, Besa – Besë” për bojkotimin e produkteve serbe, Burim Piraj, në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka thënë se pritet që fushata të arrij impaktin e duhur përgjatë 5 vjetëve në vijim.
“Fushata është duke vazhduar dhe do të vazhdoj, ne kur kemi filluar kemi thënë se nuk do të zgjas më pak se 5 vite”, ka deklaruar ai.
Ai thotë ritmi i fushatës herë intensifikohet herë bie, mirëpo fushata ka vazhduar nga 21 shtatori i vitit 2021 dhe do të vazhdon edhe më tutje.
Sipas entit të statistikave prej 1 janarit deri më 30 prill të vitit 2023 ka më pak importe se nga periudha e njëjtë e vitit 2022 për 15 milion kilogram.
“Këto ditë ka pak intensifikim të fushatës për arsye se ka ngjarje të reja, d.m.th i kemi marr rezultatet e rënies së importit të produkteve serbe nga enti i statistikave të Kosovës dhe aty shihet se nga 1 janari deri më 30 prill 2023 ka më pak importe se nga periudha e njëjtë e vitit 2022 për 15 milion kilogram, që e konsiderojmë një sasi të konsiderueshme por nuk është e mjaftueshme dhe ne mendojmë se duhet ta vazhdojmë fushatën deri atëherë kur të biem në minimum”, tha Piraj për “Enigmën”.
Sipas tij “kjo iniciativë është në të mirën e vendit nuk të bëjë me individin ose me ndonjë kompani ose interesat e saj, ky është interes nacional i cili nuk duhet të fuqizoj ekonomin e Serbisë dhe për at arsye ne vullnetarisht po vazhdojmë të punojmë deri në ato momente kur ti arrijmë rezultatet e pritura dhe të menduara nga ne”.
“Coca-Cola ia merr bizneseve frigoriferët nëse ato nuk janë të prodhuara në Serbi”
Bizneset kosovare janë ankuar se Coca-Cola po iu bënë një presion të jashtëzakonshëm të gjithë atyre që kanë frigorifer nga kjo kompani dhe nuk marrin produktin e tyre të prodhuar në Serbi.
“Ne kemi një dukuri jo të mirë të Coca-Cola e cila po iu bënë presion kompanive të cilat kanë frigorifer të saj që të merr produktet e Coca-Cola të prodhuara në Serbi ekskluzivisht nga Coca-Cola Company me lokacion në Serbi edhe pse ata kanë në frigorifer Coca-Cola të prodhuar në regjione të ndryshme si në Shqipëri, Maqedoni, Hungari ose në vende të tjera, prap ajo po iu bënë presion që të ndikoj në fushatën tonë”, ka deklaruar ai.
Ai thotë se Coca-Cola për herë të parë ka problem me shitjen e produkteve të saj
“Ne po e kuptojmë sepse për herë të parë Coca-Cola ka problem me shitjen e produkteve për arsye se me kokëfortësi po insiston ta furnizoj tregun e Kosovës me produktin e prodhuar në Serbi dhe për këtë arsye edhe ka pasur rënie në shitje shumë”, tha Piraj për “Enigmën”.
Ai ka theksuar se fushata është duke vazhduar, ka pasur sukses dhe na gëzon lajmi që prodhuesit vendor janë fuqizuar nga kjo iniciativë dhe kanë hyr fuqishëm në treg.
“Por na gëzon lajmi që prodhuesit vendor të pijeve janë fuqizuar dhe kanë hy në treg fuqishëm”, ka shtuar ai.
Nismëtari i fushatës “Mos bli produkte serbe, Besa – Besë” ka thënë se me Coca-Cola si kompani na ka dëshpëruar pas vendimit të fundit me marrjen e frigoriferëve nga bizneset që i posedojnë.
“Heqja e frigoriferëve nuk është gjë e bukur dhe sidomos në atë mënyrë se si ata po i heqin, e njohim Coca-Cola si një kompani e cila ka një përgjegjësi të madhe sociale, por në këtë rast nuk po e shohim se ajo është kompani për të cilën ne jemi mësuar ta shohim dhe për të cilën ne kemi lexuar shumë”, ka përfunduar Piraj. /GAZETA ENIGMA/