Cakolli: Anulimi i votimit me postë do të kishte pasoja të mëdha

Cakolli: Anulimi i votimit me postë do të kishte pasoja të mëdha

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që të anulohet votimi me postë për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që ky proces të përsëritet. Këtë e ka paraqitur në formë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresë. 

Por, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se një vendim për anulimin e votimit do të kishte pasoja të mëdha. Sipas tij, hetimi i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim do të ishte zgjidhje më e drejtë sesa përsëritja e gjithë procesit. 

“Edhe pse dyshimet mbi manipulimet e mundshme të votave duhen trajtuar e hetuar kujdesshëm, anulimi i plotë i votës së diasporës do të kishte pasoja të mëdha. Një vendim i tillë jo vetëm që do të shkaktonte vonesa në certifikimin e rezultateve, por mbi të gjitha do të ndëshkonte edhe ata qytetarë që kanë votuar në mënyrë të rregullt. Në vend të një qasje “all-in” që rrezikon të cenojë besimin në procesin zgjedhor, një hetim i thelluar dhe i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim do të ishte një zgjidhje më e drejtë dhe më e qëndrueshme”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Vetëvendosje po pretendon për manipulime të votave me postë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. VV-ja pati kërkuar të rishikohen edhe disa fletëvotime me postë që janë shpallur të pavlefshme – gjë për të cilën KQZ-ja votoi kundër. 

KQZ-ja ka thënë se nuk mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve pa vendimmarrjen e PZAP-së, e rrjedhimisht edhe të Gjykatës Supreme.

Related Articles