Lëvizja Vetëvendosje ka sugjeruar që bashkë me zgjedhjet lokale, të caktuara për 12 tetor, të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, shkruan Gazeta Enigma.
Por për t’u bërë kjo, Kuvendi patjetër duhet të konstituohet.
Eugen Cakollit, nga KDI thotë se ekzistojnë tri rrugë kushtetuese që të përmbushet propozimi i VV-së.
Skenari i parë është ai i shpërndarjes së Kuvendit, pas konstituimit. Pas shpërndarjes, presidentja për 10 ditë duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve – 30-45 ditë pas shpalljes së datës. Për ta arritur 12 tetorin në këtë opsion duhet që shpërndarja të mos ndodhë më vonë se 2 shtatori e zgjedhjet duhet të shpallen më së largu më 12 shtator. Deri atëherë mund të ketë edhe deri në 42 seanca të dështuara (çdo 48 orë).
Në skenarin e dytë është dështimi për ta zgjedhur qeverinë brenda 60 ditësh pas konstituimit. Në këtë rast mandatimi i kandidatit për kryeministër duhet të ndodhë më së voni më 4 korrik dhe pas kësaj date për 60 ditë të mos ketë formim të Qeverisë. Që të zbatohet ky skenar dhe që të ketë zgjedhje parlamentare më 12 tetor, do të mund të dështonin edhe 12 seanca të tjera.
Në opsionin e tretë, është dështimi i dyfishtë për ta zgjedhur Qeverinë. Në këtë rast, pas konstituimit mandatari i parë i ka 15 ditë për ta siguruar shumicën. Nëse dështon, presidentja ka një 10-ditësh tjetër për ta manduar dikë tjetër. Edhe i dyti i ka 15 ditë kohë për ta marrë miratimin. Nëse dështon, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh. Në këtë skenar zgjedhjet duhet të shpallen më së voni më 2 shtator e deri në konstituim mund të ketë edhe 21 seanca të dështuara.