Eugen Cakolli nga KDI, ka deklaruar se mandatari i ri për kryeministër ka afat deri më 19 nëntor për ta paraqitur kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvend, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në Facebook ai ka njoftuar se nëse nuk arrihet me sukses votimi presidentja më 20 nëntor duhet ta shpërndajë Kuvendin.
Dhe kështu vendi shkon në zgjedhje tha Cakolli. Tutje ai ka theksuar se zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre sipas Kushtetutës.
“Mandatari i ri për kryeministër ka afat deri më 19 nëntor për ta paraqitur kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvend, dhe për të siguruar të paktën 61 vota. Nëse deri atëherë nuk arrihet votimi me sukses, më 20 nëntor Presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja”, ka shkruar Cakolli.
“Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre, ndërsa Ligji për Zgjedhjet i jep Presidentes deri në 10 ditë kohë për ta bërë shpalljen e datës së zgjedhjeve, nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit”.
“Nëse Kuvendi shpërndahet më 20 nëntor, dritarja ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve i lë si opsione reale 21 dhe 28 dhjetorin”, ka theksuar ai.
“Teorikisht, të mundshme janë edhe 14 dhjetori – nëse procedura dështon, respektivisht shpërndarja ndodh më herët; apo 4 janari – vetëm në rast se shpallja e datës së zgjedhjeve shtyhet deri në fund të nëntorit, në afatin maksimal 10-ditor që ka Presidentja”.
