Çantat mbi 5 kg po i dëmtojnë fëmijët, zgjidhja e problemit ka implikime buxhetore e logjistike

Çantat mbi 5 kg po i dëmtojnë fëmijët, zgjidhja e problemit ka implikime buxhetore e logjistike

Çantat e rënda të nxënësve po detyrojnë shumë familjarë që t’i dërgojnë ata në shkollë, e njëherësh edhe t’i marrin nga shkolla.

Artor Shala tha se si prind vazhdimisht kanë bërë kërkesa për zgjidhen e problemit të çantave të rënda, ngase sipas tij, ato peshojnë mbi pesë kilogram.

Si zgjidhje, ai po i sheh dollapët në shkolla, duke pohuar se ka raste kur fëmijët kanë pasur problem me shpinën shkaku i peshës së rëndë.

“Ende janë më duket të vegjël për me mujt me mbajt një peshë kaq të rëndë në shpinë. 99% të prindërve po vijnë me i marrë apo po i sjellim fëmijët e tyre në shkollë, mirëpo pavarësisht të gjithave për shembull shkallëve deri sa po vijnë momenti kur po dalin është kogja peshë e rëndë për ta. Unë besoj që edhe ka pasë raste ku kam dëgjuar që kanë pasur problem fëmijët me shpinë e i kanë dërguar edhe te mjeku”.

“Unë po them po e ndërroj shpesh krahët për shkak të peshës, unë po them katër-pesë kilogram nuk është që e kam mat veç me siguri i ka pesë kilogram ndoshta edhe më tepër, një çantë që për moshë të saj është shumë e madhe”.

Riga Shala tha se çdo ditë në shkollë e sjell babi i saj “po, për atë po më sjell babi në shkollë”.

Edhe Laura Dibra, tha se po detyrohen që fëmijët t’i dërgojnë çdo ditë në shkollë.

“Për çantat janë shumë të rënda për vajzën time, kjo është në klasën e dytë edhe është pak e dobët e imët kështu që çanta siç po e sheh gjithmonë e barti unë edhe e sjell deri te dera shkollës për shkak të peshës që e ka”.

Kurse Shefki Sefa, tha ministria e Arsimit duhet ta bëjë organizimin e sistemit shkollorë në mënyrë që shumicën e librave fëmijët t’i lënë në shkollë, sikurse edhe në shtet e perëndimit.

“Duhet me ja bë si në sistemin e perëndimit, librat i lajnë në shkollë, detyrat i marrin në letër në shtëpi. Duhet me i bë ormanat me i lanë librat, mos me i bajt veç çka ka detyra me i marr, qashtu ma lehtë. Kjo mbesa ime menxi”, është shprehur i shqetësuar ai.

Përderisa Ymer Reshiti, kryetari i Këshillit të Prindërve i tha Ekonomia Onlina në një përgjigje me shkrim se kanë pasur ankesa të vazhdueshme nga prindërit, duke shtuar se pesha e rëndë e çantave po e dëmton shëndetin e nxënëseve.

“Si Këshill i Prindërve të Kosovës kemi propozuar si zgjidhje të përkohshme që aty ku ka me shumë se 2 libra të se njëjtës lëndë, pra 3, 4, 5; të përmbledhin njësit mësimore si pas periudhave mësimore të vitit, ku një libër do të përdoret për atë periudhë mësimore që do të përmbledhë njësit mësimore. Pesha e madhe e çantave po e dëmton shëndetin e nxënësve të cilët vazhdimisht ankohen dhe disa marrin trajtim mjekësorë”.

Sipas tij, sasia e madhe e librave për një lëndë mësimore është interes biznesi dhe se fare nuk është në dobi të nxënësve.

Edhe zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, po e pranon se çantat e fëmijëve shpesh janë të stërmbushura mbi standardin e peshës trupore të tyre.

Sipas Pupovcit ky problem momentalisht nuk mund të zgjidhet nga ana e institucioneve përkatëse, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

“Problemi do të zgjidhej sikur një pjesë të këtyre obligimeve do t’i kryenin në shkollë dhe sikur shkollat të kishin dollapë personal për nxënësit. Krijimi i mundësive të tilla duhet analizuar me kujdes në një të ardhme të afërt, sepse ka implikime buxhetore dhe logjistike”.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci

Popovcit sqaroi përmes e-malit se ky problem mund të zbutet nëse bëhet një planifikim më i mirë nga ana e mësimdhënësve, të cilët duhet t’i udhëzojnë fëmijët, sidomos ata të moshave më të vogla se cilat libra dhe mjete mësimore t’i sjellin në shkollë në ditë të caktuara.

“Këtu kanë rol edhe prindërit, të cilët duhet të kujdesen që fëmijët të mos i marrin në shkolla librat dhe mjetet mësimore që nuk u nevojiten, duke ndarë kohën për t’iu ndihmuar në këtë aspekt. Po ashtu, shkollat duhet të kenë kujdes, sidomos me klasat 1-5 që orari i mësimit të përpilohet ashtu që të zvogëlohet ngarkesa, p.sh. të mos jenë në ditën e njëjtë orët e edukatës fizike dhe artit, kur nxënësit duhet të bartin me vete edhe mjete shtesë”, shtoi ai./Gazeta “Enigma”/

Related Articles