Capital T ka vendosur të marrë një pauzë nga skena muzikore pas një periudhe të gjatë me koncerte, udhëtime dhe performanca, ndërsa tashmë ka konfirmuar se është duke përgatitur rikthimin e tij përmes një albumi të ri.
“Wine & Stories of Berat” ishte koncerti i vetëm i rep-artistit gjatë këtij viti. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka treguar se shkëputja nga skena ishte një vendim i vetëdijshëm, i ndikuar si nga aspekti profesional, ashtu edhe nga ai personal.
“Wine & Stories of Berat ishte koncerti im i vetëm për këtë vit. Kjo pauzë nga skena ishte diçka që më duhej më shumë sesa e kisha mendu. Pas kaq shumë vitesh me koncerte, udhëtime, net pa gjumë, skena, festivale, qytete, shtete dhe mijëra njerëz përballë meje, këtë vit mora një vendim të vetëdijshëm: të mos bëja performanca”.
Artisti ka treguar se një pjesë e këtij vendimi lidhet edhe me situatat nëpër të cilat po kalon shoqëria, duke theksuar se muzika dhe festa nuk mund të shkëputen gjithmonë nga realiteti.
“Një pjesë e këtij vendimi erdhi duke parë situatat nëpër të cilat po kalojmë si popull. Ka momente kur muzika dhe festa nuk mund të ekzistojnë krejtësisht të shkëputura nga realiteti që na rrethon. Ndonjëherë duhet të ndalesh, të shikosh përreth dhe të kuptosh se çfarë po ndodh jashtë botës tënde”.
Krahas kësaj, Capital T ka zbuluar se pauza kishte edhe një arsye personale. Ai ka thënë se kishte nevojë për kohë larg zhurmës dhe presionit për të qenë vazhdimisht aktiv.
“Por kjo pauzë kishte edhe një arsye tjetër shumë personale. Doja kohë. Kohë larg zhurmës, larg presionit të vazhdueshëm për të qenë gjithmonë prezent, larg ritmit këngë –> koncert –> këngë –>koncert”.
Gjatë kësaj periudhe, reperi është fokusuar në punën në studio, ku po përgatit një album të ri.
“Doja ta ktheja gjithë atë energji përsëri në studio dhe në muzikë. Duke punu për një album të ri. Një album që për mua nuk është thjesht vazhdimi i asaj që kam bërë deri sot. Dua të flas për gjëra të tjera. Të prek tema që ndoshta nuk i kam prek më parë. Të tregoj perspektivën e njeriut që jam sot, pas gjithë këtyre viteve, jo vetëm artistin që publiku e njeh deri tani. Dhe pikërisht këtë vit më ka ndodh të mendoj shumë edhe për rrugëtimin”.
