Çfarë janë dronët “Bayraktar TB2”, të cilët Kosova i bleu nga Turqia

Çfarë janë dronët “Bayraktar TB2”, të cilët Kosova i bleu nga Turqia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar sot (e dielë), dronët Bayraktar që Kosova i bleu nga Turqia. Kurti tregoi sot se dronët e famshëm “Bayraktar” i janë shtuar arsenalit të FSK-së dhe se disa oficerë të ushtrisë tashmë e kanë kryer trajnimin për përdorimin e tyre.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia!”, shkroi Kurti në Facebook.

Kryeministri theksoi se në dy vjet qeverisje, kanë shtuar “për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”.

Çfarë është droni “Bayraktar”?

Ky lloj droni për herë të parë ka fluturuar më 2014 dhe është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit. Ai krahasohet me amerikanin Elon Musk, për avionin unik ushtarak që ka zhvilluar dhe për një prani në rrjetet sociale, ku shpesh është i egër ndaj kritikëve të tij.

Bayraktar, i cili është shef i teknologjisë në kompaninë e mbrojtjes Baykar, më 2016 është martuar me vajzën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. “Bayraktar TB2” është 6,50 metra i gjatë, 12 metra i gjerë dhe ka peshë 420 kilogram.

Kjo fluturake, po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë.

Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.

Related Articles