Çfarë pritet të ndodhë pas dënimit të Trumpit, a mund të dënohet me burg?

Çfarë pritet të ndodhë pas dënimit të Trumpit, a mund të dënohet me burg?

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është shpallur fajtor nga një gjykatë e qytetit të Nju Jorkut për të 34 akuza që kanë të bëjnë me falsifikimin e të dhënave të biznesit të tij para zgjedhjeve presidencial të vitit 2016, me qëllim që të fshehë pagesat e bëra për një aktore të pornografisë.

Dymbëdhjetë anëtarët e jurisë arritën vendimin më 30 maj, pesë muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ku pritet që Trump të përballet me presidentin aktual demokrat, Joe Biden.

Trump ishte akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit për 34 akuza penale për krime shtetërore, duke përfshirë falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqeve për të fshehur një pagesë prej 130.000 dollarësh për Stormy Daniels, me qëllim që të blejë heshtjen e saj lidhur me marrëdhënien e tyre të supozuar seksuale më 2006. Atëkohë, Trump ishte i martuar me Melania Trump.

Daniels u përpoq të bënte publike lidhjen e saj të supozuar me Trumpin një muaj përpara zgjedhjeve të vitit 2016, një histori që mund të kishte dëmtuar garën e kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë. Avokati personal i Trumpit, Michael Cohen, i tha gjykatës se ia transferoi avokatit të Daniels 130.000 dollarë disa ditë para zgjedhjeve, me urdhër të Trumpit. Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të atij viti.

Çfarë ndodh tash?

Gjykatësi tani do të duhet të shqiptojë dënim ndaj Trumpit. Dënimi do të varet nga disa faktorë, duke përfshirë historinë kriminale të Trumpit dhe për sa akuza është dënuar Trump, tha Brian Kalt, profesor i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe autor i Constitutional Cliffhangers: A Legal Guide For Presidents And Their Enemies.

Dënimi mund të variojë nga një gjobë ose me kusht deri në një afat deri në katër vjetësh burgim. Megjithatë, në rastet kur të pandehurit dënohen me burgim për një krim të tillë jo të dhunshëm – që nuk është normë në shtetin e Nju Jorkut – ata zakonisht marrin një vit ose më pak.

Trump ka të ngjarë të apelojë çdo dënim dhe ky proces mund të zgjasë me vite, tha ai.

A mund të shkojë Trumpi në burg?

Në teori, Trump mund të shkojë në burg, por Kalt mendon se nuk ka gjasa të ndodhë kjo, pasi Trumpi nuk ka precedent të mëparshëm penal. Është gjithashtu e mundshme që gjyqtari të shtyjë çdo dënim deri pas një apeli, tha Kalt.

A mund të kandidojë ende në zgjedhje dhe të mbajë poste publike?

Kushtetuta e SHBA-së thotë se presidenti duhet të jetë një qytetar i lindur në Shtetet e Bashkuara, të jetë së paku 35 vjeç dhe të ketë qenë rezident i Shteteve të Bashkuara për të paktën 14 vjet.

Ajo nuk e ndalon një të burgosur ose të dënuar me kusht që të kandidojë për post publik ose të bëhet president. Udhëheqësi i Partisë Socialiste, Eugene Debs, kandidoi për president në vitin 1920, ndërsa ishte në burg për kryengritje. Ai fitoi 1 milion vota.

Ndërkohë, ish-presidenti i SHBA-së, George W. Bush, u arrestua për drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit dhe u gjobit me 150 dollarë gati një çerek shekulli përpara se të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2000.

Trump mund të betohet si president nga burgu ose nga burgu shtëpiak.

Related Articles