Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se Kosova nuk po vuan rezultate të dobët si pasojë taktikave të tij, por për shkak të mentalitetit të lojtarëve.
Duke folur në një konferencë për media të hënën në Prishtinë në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në fillim të shtatorit, Challandes tha se do të bisedojë me futbollistët me ton të ashpër për t’ua ndryshuar mentalitetin.
“Do t’i kemi tri ndeshje të vështira dhe interesante. Nuk është garë e re për mua sepse kemi luajtur ndaj Spanjës dhe Suedisë. Por për mua ky është fillim i ri, sepse kemi pasur sukses në fillim dhe pastaj mossukses. Është koha për ta ringritur ekipin dhe për ta riformuar një skuadër. Është koha për të gjetur një lojë me mentalitet të fortë për ekipin e Kosovës përsëri, fatkeqësisht nuk është koha e duhur për ta bërë këtë sepse kemi probleme me lëndime, me Covid me operacione”, tha Challandes.
Ai shtoi: “Nuk është problemi taktik, teknik, fizik, është problemi i mentalitetit dhe nëse Kosova nuk ndryshon tani mentalitetin atëherë kemi probleme. Do të flas menjëherë, qartë dhe të ashpër me ekipin sonte.”
Ekipi kombëtar i Kosovës do të grumbullohet sot në Prishtinë, për t’i nisur përgatitjet për tri ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, që do të zhvillohen në fillim të shtatorit.
Kosova është ende në kërkim të fitores së parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e saj.
Kjo është hera e dytë që kombëtarja verdhekaltër merr pjesë në kualifikimet e Botërorit dhe ato i nisi keq përsëri, pasi i humbi të dy ndeshjet e para në Grupin B, kundër Spanjës dhe ndaj Suedisë.
Dardanët do të përballen me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, para se të rikthen në Prishtinë për dy ndeshjet e vështira ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8 shtator.
Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë.