Banka Qendrore Evropiane për herë të parë pas 11 vjetësh, ka vendosur t’i rrisë normat e interesit, në përpjekje për të kontrolluar rritjen e inflacionit në Eurozonë.
Si rrjedhojë e kësaj, çdo qytetarë dhe biznes në Kosovë që planifikon të marrë kredi, shumë shpejt do të përballet me norma më të larta të interesit.
Pse po ndodhë rritja e interesit për kredi?
Sipas Bankës Qendrore Evropiane, kur çmimet në ekonomi rriten shpejt, domethënë kur inflacioni është shumë i lartë, rritja e normave të interesit ndihmon në rikthimin e inflacionit në objektivin prej 2 për qind, në një periudhë afatmesme.
Ndërsa, analisti për çështje të ekonomisë, Muhamet Spahiu tha për Gazetën Enigma se bankat kryesisht po e rrisin interesin e tyre shkaku që është rritur kërkesa për marrje të kredive.
“Bankat kryesisht po e rrisin interesin e tyre shkaku që është rritë kërkesa për marrje të kredive. Edhe BQK-ja e ka aprovuar një gjë të tillë që me e rritë fitimin”, tha Spahiu.
Kurse, Yllnora Shala tha se pasoja kryesore e rritjes së normave të interesit është rritja e kostos së parave të marra hua.
Sipas saj, në këtë mënnyrë, rritja e kosotve “përcjellet” te konsumatorët dhe bizneset nëpërmjet vlerësimit të parave të marra hua.
“Nga teoria, tashmë dihet se normat më të larta të interesit mund të çojnë në një ngadalësim të huamarrjes, pasi konsumatorët mund të jenë të prirur të marrin më pak kredi. Pasoja kryesore e rritjes së normave të interesit është rritja e kostos së parave të marra hua”.
“Në këtë mënyrë, rritja e kostove “përcillet” te konsumatorët dhe bizneset, pikërisht nëpërmjet vlerësimit të parave të marra hua. Në këtë mënyrë, konsumatorët shohin fuqinë e tyre”, tha Shala për Gazetën Enigma.
Pasojat e rritjes së interesit për kredi
Analistja Shala tha se rritja e normës do të sillte një rritje të kostos së huamarrjes, duke dekurajuar si shpenzimet e konsumatorëve, ashtu edhe të bizneseve për produktet bankare si blerja e apartamenteve, makinave etj.
“Ashtu siç u përmend edhe më sipër, rritja e normës së interesit do të sillte një rritje të kostos së huamarrjes, duke dekurajuar si shpenzimet e konsumatorëve, ashtu dhe të bizneseve, për produktet bankare si blerja e apartamenteve, makinave, etj”.
Mes tjerash, Shala tha se efekti mbi kreditë nuk është shfaqur ende dhe nuk pritet të ketë ndonjë efekt në afatshkurtër. Sipas saj, bankat qendrore vazhdojnë të besojnë se rritja aktuale e inflacioni është kalimtare.
“Efekti mbi kreditë nuk është shfaqur ende dhe nuk pritet të ketë ndonjë efekt afatshkurtër. Bankat qendrore vazhdojnë të besojnë se rritja aktuale e inflacionit është kalimtare. Duke kombinuar mekanizmat e politikës monetare dhe asaj fiskale efektet negative në kreditim dhe ekonomi, besoj se do të jenë minimale”, deklaroi ajo.
Gjithashtu, Shala thekson “se rritja e normave të interesit do të ketë ndikime domethënëse në tregun e pasurive të paluajtshme, që ka qenë shtysa kryesore e rritjes së portofolit të individëve në vitete fundit”.
Sa përqind parashihet të rritet inflacioni?
“Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore, mendohet që inflacioni do të luhatet rreth nivelit 10-14% për pjesën e mbetur të vitit 2022, ndërkohë që tani jemi në nivelet 9%”.
Kështu deklaroi analistja për çështje të ekonomisë, Yllnora Shala. Sipas saj, një rritje e normave të interesit deri në 0.5% nuk pritet të ketë efekt në cilësinë e kredive, duke u konsideruar kështu një rritje shumë e lehtë.
“Një rritje e normave të interesit deri në 0.5% nuk pritet të ketë efekt në cilësinë e kredive, duke u konsideruar një rritje shumë e lehtë, bazuar kjo edhe në përvojën e bankës. Aftësia paguese e huamarrësve nuk pritet të ndikohet ndjeshëm nga rritja aktuale e normave të interesit, aq sa të mund të sjellë efekte nega- tive në pagesat e kësteve të kredisë”.
Ndryshe, në bazë të të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në vitin 2021, fitimi neto i 11 bankave komerciale në Kosovë ishte rreth 117.5 milionë euro. Në krahasim me vitin 2020, kjo ishte një rritje prej mbi 47%, ndërsa, në krahasim me vitin 2019, kjo ishte një rritje prej mbi 36%.
Ndërsa, Ballkanin Perëndimor, vetëm Kosova dhe Mali i Zi përdorin euron si mjet pagese, ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina kanë valutat e tyre.
Disa prej këtyre vendeve kanë paralajmëruar ose kanë rritur tashmë normat e interesit për kredi.
Në Bosnje, rritja pritet të jetë për 0.7 deri në 0.9 për qind, përkatësisht nga 4.2 për qind në 4.9 për qind.
Bordi ekzekutiv i Bankës Popullore të Serbisë, e cila është përgjegjëse për politikën monetare kombëtare, ka rritur më 7 korrik normën referencë të interesit në nivelin 2.75 për qind.
Më 12 korrik, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka rritur normën bazë të interesit në nivelin 2.5 për qind.
Më 6 korrik, Banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit në 1.25 për qind. Norma mesatare e interesit në Mal të Zi ka qenë 5.54 për qind në muajin maj. /Gazeta Enigma/.