Cilat janë gjasat e FC Ballkanit në ndeshjen e kthimit ndaj Ludogoretsit tregojnë Canolli dhe Reshitaj

Cilat janë gjasat e FC Ballkanit në ndeshjen e kthimit ndaj Ludogoretsit tregojnë Canolli dhe Reshitaj

FC Ballkani si kampion i Superligës së Kosovës ashtu si vitin e kaluar edhe në këtë vit, garat europiane i nisi në Ligën e Kampionëve.

Shorti për suharekasit po cilësohej i vështirë, pasi do të përballeshin me gjigantin bullgar, Ludogorets, skuadër e cila në 12 vitet e fundit ka qenë kampion i padiskutueshëm në futbollin e Bullgarisë.

Ludogorets momentalisht e ka vlerën 40 milionë e 350 mijë, shifër kjo e madhe në krahasim me skuadrën kosovare, Ballkani ku e ka vlerën 5 milionë e 450 mijë euro, shkruan Gazeta Enigma.

Përveç që është 12 vite radhazi kampion i Bullgarisë, Ludogorets ka marrë pjesë ne fazën e grupeve ne kompeticionet evropiane plot nëntë herë, dy herë në grupit e Ligës së Kampionëve dhe shtatë herë të tjera në Ligën e Evropës. Po ashtu vlen të ceket se kjo skuadër ka barazuar me skuadra si Liverpool dhe Paris Saint-Germain, kurse në nëntor të vitit 2022 e mposhti Romën e Jose Mourinhos me rezultat 2-1.

E gjitha kjo histori, këto suksese të mëdha të skuadrës bullgare, nuk e frikësuan skuadrën kampione të Kosovës, Ballkanin. Djelmoshat e udhëhequr nga trajneri nga Ilir Daja më 11 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhuruan spektakël para tifozëve duke e dominuar dhe duke e mposhtur me rezultat të pastër 2-0 me golat e Meriton Korenicës dhe Qëndrim Zybës.

Sot më 18 korrik, FC Ballkani ka marrë rrugën drejt Bullgarisë me misionin e vetëm që nesër të dalin triumfues nga toka bullgare dhe ta vazhdojnë ëndrrën evropiane për në Ligën e Kampionëve.

Të enjtën më 19 korrik, luhet ndeshja e kthimit në Razgrad, me fillim nga ora 20:00, kompanitë e basteve e favorizojnë Ludogoretsin, fitorja e bullgarve kuotohet me 1.33, kurse fitorja e Ballkanit kuotohet me 8.00, ndërsa barazimi me 5.00.

Gazetari i sportit dhe komentatori Florim Canolli dhe gazetari dhe prezantuesi Kushtrim Reshitaj, në një bisedë për Gazetën Enigma kanë treguar se cilat janë gjasat e Ballkanit për të kaluar tutje dhe si pritet të zhvillohet kjo ndeshje.

Paraqitja fantastike e Ballkanit në ndeshjen e parë ndaj Ludogoretsit nuk është një rastësi, thotë gazetari Florim Canolli. Sipas tij, kjo është meritë e trajnerit Ilir Daja i cili aplikon lojë të njëjtë pavarësisht kundërshtarit që e ka përballë.

“Paraqitja që bëri Ballkani në ndeshjen e parë është si rrjedhojë e mënyrës së lojës që po bënë skuadra që pas ardhjes së Ilir Dajes, pra nuk është një rastësi. Ajo që e veçon këtë skuadër është fakti se nuk ndryshon mënyrë loje pavarësisht sa i fortë është kundërshtari dhe kjo po jep rezultat”, thotë Florim Canolli për Gazetën Enigma.

Canolli pret ndeshje të vështirë në Bullgari për Ballkanin, mirëpo sipas tij, skuadra nga Suhareka i ka të gjitha mundësitë që të kalojë në rrethin e dytë në Ligën e Kampionëve.

Mendoj se ndeshja e kthimit do të jetë shumë ma e vështirë pasi luhet në shtëpinë e Ludogorets, aty ku bullgarët janë shumë më të fortë dhe padyshim do të duhet një tjetër ndeshje e madhe për te arritur rezultat të favorshëm. Duke parë formën e lojtarëve nga ndeshja e parë si dhe rezultatin prej 2:0, mendoj se skuadra jonë i ka të gjitha mundësitë për të kaluar në rrethin e dytë”, shprehet i bindur Florim Canolli.

Te enjtën në Razgrad, pritet të shohim një Ludogorets më agresiv se sa ishte në Prishtinë, thotë Florim Canolli.  Ai thotë se Ballkani mundet me i shfrytëzu kundërsulmet me realizu gol ndaj skuadrës bullgare.

Qasja e Ludogorets padyshim që do të jetë shumë më agresive se sa ishte në Prishtinë. Bullgarët synojnë grupet dhe pres që ata të kenë një formacion më sulmues, sepse rezultati i obligon për një gjë të tillë.”

Por sa do të mund të krijojnë raste për të rrezikuar portën e Ballkanit, kjo do të varet shumë edhe nga angazhimi i kampionëve tanë, sa do të jenë kompakt, stabil për ta ruajtur balancin në fushë që është shumë me rëndësi, dhe fakti që ata do të duhet të sulmojnë, ndoshta do të jetë një mundësi e mirë për Ballkanin që me kundërsulme të gjejnë hapësira për të realizuar gol”, thotë ai.

Florim Canolli nuk pret që Ballkani të ndryshojë stilin e lojës. Sipas tij, Ballkani pritet të zbresë në fushë me formacionin 4-3-3.

Unë mendoj që Ballkani nuk do të ndryshojë mënyrë loje. Do të luajë me skemën e njëjtë 4-3-3, me Emërllahun që po qëndron më i tërhequr, ndërsa më i avancuar u pozicionua Edvin Kuc për të bërë presion të lartë siç e pamë në ndeshjen e parë”, potencon Canolli.

Nuk besoj që Ballkani do të këtë mundësinë të mbaj topin më shumë se kundërshtari, por atëherë kur ta ketë ta shfrytëzoj në maksimum sepse rezultati i jep një llojë qetësia psikologjike lojtarëve. Ballkani asnjëherë nuk ka problem të krijoj raste siç pres ta bëjë edhe të mërkurën dhe nëse do të jenë edhe efikas sa duhet, atëherë edhe golat nga skuadra e jonë nuk do të mungojnë”, vlerëson ai.

Ndërsa gazetari dhe tifoz besnik i FC Ballkanit, Kushtrim Reshitaj thotë se paraqitja e skuadrës nga Suhareka të martën e kaluar ishte paraqitja më e mirë ndonjëherë nga një skuadër shqiptare në garat e Evropës.

Sa i përket ndeshjes së parë, tashmë të gjithë jemi dëshmitarë se ajo ishte paraqitja më briliante e mundshme e ndonjë skuadre shqiptare, në garat e Evropës”, shprehet Reshitaj i entuziazmuar për Gazetën Enigma.

Edhe Reshitaj ashtu si Canolli nuk pret shumë ndryshime nga Ballkani në këtë ndeshje.

Tash kur e ke një avantazh prej 2-0, natyrisht që kundërshtarin do të keshë në tjetër dimension, ngaqë tendencën e kanë të qartë se si ta nisin duelin. Ata do të kërkojnë më shumë nga fillimi, kurse Ballkani do të kujdeset për të gabuar sa më pak. Nuk pres shumë ndryshim të lojës së skuadrës tonë, nga ajo e para, por ndryshime të herë pas hershme brenda elementeve taktike, sigurisht që do të ketë”, shprehet Reshitaj.

Kushtrim Reshitaj thotë se Ilir Daja e ka menduar kundërpërgjigjen për Ludogoretsin në ndeshjen e nesërme, sipas tij skuadra bullgare janë të frikshëm në shtëpinë e tyre.

Ludogorets është skuadër e madhe. Ata vazhdimisht luajnë në kompeticione evropiane dhe posaçërisht në shtëpinë e tyre, janë shumë të fortë. Vetëm 2 humbje i kanë në Evropë në 9 ndeshjet e fundit, kurse kanë fituar 6 herë, përfshi edhe triumfin e jashtëzakonshëm ndaj Romës, vjeshtën e kaluar. Ata do të tentojnë ta kenë nën kontroll lojën nga fillimi, për të krijuar sa më shumë, andaj kundërpërgjigjen tonë, besoj që e ka menduar trajneri, Ilir Daja”, potencon ai.

Ballkani ndeshjeve europiane i qaset gjithmonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pavarësisht kush është kundërshtari, skuadra jonë çdo herë e arsyeton epitetin e kampionit që e ka. Nuk pres shumë ndryshime në kontingjentin e 11-shes startuese, sikurse edhe vetë lojës që Ballkani e aplikon. Por ajo që është e rëndësishme, ka të bëj me faktin se në Razgrad, lojtarët tanë do të zbresin të pa ndikuar psikologjiskëshit nga rezultati i lojës së parë, sikur ajo mos të ekzistonte fare”, potencon ai.

Sipas Reshitajt, fati i madh është për skuadrën e Ballkanit dhe futbollin e Kosovës që e kanë trajner Ilir Dajën. Ai pret që Ballkani të kualifikohet në rundin e dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Mendoj që fat i madh për skuadrën por edhe futbollin e Kosovës, është një maestro trajner që udhëheq me grupin e këtyre futbollistëve fantastikë, andaj Ilir Daja gjithmonë ka diçka për të shfaqur, kur nevoja për të është emergjente. Pres që Ballkani të luaj në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve”, shprehet i bindur Kushtrim Reshitaj.

Fituesi i kësaj ndeshje në rrethin e dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve do të përballet me fituesin e ndeshjes Olimpija vs Valmiera, kurse humbësi do ta vazhdojë rrugën ne rrethin e dytë kualifikues në Ligën e Konferencës. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles