Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të nis hetim parlamentar dhe të inteligjencës për raportimet e konfirmuara se Shërbimi Sekret serb ka provuar ta vrasë ish-raportuesin në Këshillin e Evropës, Dick Marty për t’ia vënë fajin kosovarëve.
Çitaku ka shkruar se raporti i Martyt mbi krimet e luftës në Kosovë është i ushqyer nga shërbimet inteligjente serbe.
“Qeveria e Kosovës duhet të fillojë menjëherë hetimet parlamentare dhe të inteligjencës për raportet e konfirmuara tani se shërbimet serbe u përpoqën të vrisnin Dick Martin për t’ia hedhur fajin UÇK-së. Ai është i njohur për një raport të dyshimtë mbi krimet e luftës, i cili është ushqyer edhe nga shërbimet inteligjente serbe. Çështje e kalbur”, ka shkruar Çitaku.
Ndryshe, Ish-senatori, Dick Marty është shfaqur sërish në publik me një intervistë për një radio zvicerane pas raportimeve se po ruhet nga policia shkaku i planit për atentat ndaj tij nga shërbimi sekret serb për t’ia lënë fajin kosovarëve.
Ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, raporti i të cilit u bë shkas për themelimin e Gjykatës Speciale tha se e gjithë urrejtja ndaj tij ishte e orkestruar nga shërbimi sekret serb.
“Për disa arsye, shtypi shqiptar filloi të më targetojë mua si dhe janë adresuar fjalë të urrejtjes edhe në parlament, pavarësisht se unë s’kam pasur asgjë të bëjë me arrestimin e presidentit Hashim Thaçi. Megjithatë, më vonë u zbulua se ishte një operacion i orkestruar nga elemente të grupeve ekstremiste serbe brenda shërbimit sekret që donin t’ia linin fajin Kosovës për atentatin ndaj meje”, tha Marty për radion zvicerane RSI.