Vlora Çitaku, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për dështime dhe veprime të dëmshme për Kosovën, shkruan Enigma.
Ajo tha se qasja e Kurtit ka qenë problematike që nga koha kur ishte në opozitë.
“Kurti ka qenë i dëmshëm për Kosovën edhe si lider opozitar, ua kujtoj këtu dhunën dhe zhagitjen e proceseve të rëndësishme si rezultat i mjeteve parapolitike dhe joparlamentare. Fatkeqësisht, ai vazhdon të jetë i dëmshëm dhe pa rezultate edhe si kryeministër”, deklaroi Çitaku në Debat Plus.
Ajo ka bërë krahasime midis qeverisjes së PDK-së dhe asaj aktuale, duke theksuar arritjet e PDK-së gjatë kohës në pushtet.
“Kur e kemi marrë ne udhëheqjen e qeverisë në vitin 2007, në prag të shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka qenë shtet, nuk ka pasur institucione, as infrastrukturë. Nga viti 2007 deri në vitin 2018, janë ndërtuar mbi 1 mijë e 883 kilometra rrugë, mbi 130 shkolla dhe buxheti ka arritur në rreth 700 milionë euro,” ka shtuar ajo.