Çitaku, Kurtit: Po i shërben Prokurorisë në Hagë duke sulmuar Thaçin e Veselin

Çitaku, Kurtit: Po i shërben Prokurorisë në Hagë duke sulmuar Thaçin e Veselin

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kreut të VV-së, Albin Kurti, i cili tha se PDK merr instruksione në Hagë nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Çitaku tha se Kurti me vetëdije të plotë “ka vendosur sërish t’i shërbejë Prokurorisë në Hagë, duke sulmuar Thaçin e Veselin”.

“Madje, ka pasur guximin të thotë se ne i vizitojmë për të marrë ‘instruksione’. Kjo nuk është as politikë, as rastësi. Është qëllim i pastër dhe vazhdimësi e një fushate të kamotshme që Kurti e ka ndërtuar mbi përbaltjen e të tjerëve, sidomos të atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës”.

“Një njeri që nuk e ka as edhe një mik të vetëm, nuk mund ta kuptojë se njerëzit mund të kenë marrëdhënie miqësore, njerëzore, jo vetëm kontrata dhe urdhra. Instruksione, Albin, jep ti, në partinë tënde që nuk e udhëheq, por e sundon. Në Vetëvendosje nuk ka as debat, as mendim ndryshe, vetëm një zë: tëndin”, tha Çitaku.

Tutje, ajo u shpreh se në PDK ka diskutime, mendim kritik e demokraci, teksa Kurtit i tha se kjo mendësi është e huaj për të, sepse sipas saj, Kurti në VV “ka ndërtuar model autoritar, ku çdo mendim tjetër është “armik””.

“Dhe, sa për ta mbyllur këtë temë: Kryetar e kemi Memli Krasniqin. Një lider që ka legjitimitet, respekt dhe besim, brenda dhe jashtë partisë. Ta heqim këtë merak. Ndërkohë, ti vazhdo qaj e vajto. Se për rezultate nuk ke çka flet, sepse nuk ke asnjë”, i tha Çitaku, Kurtit.

Related Articles