Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar Qeverinë për gjendjen me pandeminë.
Ajo ka thënë se askujt nuk do t’i duhet pushteti me këtë kosto kaq të lartë të jetës njerëzore.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani duhet të jenë më aktiv në këtë situatë.
“Nuk bëhet politikë me kufoma. Kjo është e turpshme. Nuk do ti duhet pushteti akujt me këtë kosto kaq të lartë të jetës njerëzore. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, kësaj pandemie nuk po i shihet fundi, numrat po shkojnë duke u rritur. Ne nuk e dimë a do të fillojë ditën e hënë procesi shkollor apo jo. Nuk kemi asnjë lloj komunikimi, asnjë lloj planifikimi nga ana e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje”, ka thënë ajo.
Çitaku është shprehur se si opozitë janë të hapur për bashkëbisedim, por që nuk i kanë numrat për të vendosur.
Ndërsa, ajo ka pasur kritika edhe për numrin e vogël të qytetarëve të vaksinuar, duke thënë se vendi nuk ka as fushatë vetëdijesimi për vaksinim.
“Kryeministri i Kosovës ende nuk e ka vizituar QKUK’në. Ende nuk kemi parë fushatë vetëdijësimi për vaksinim. Ka lajme të rreme, propaganda të vaksinimit ka kudo në botë, kjo nuk po ndodh vetëm te ne, mirëpo vetëm te ne po ndodh që një fushatë agresive e lajmeve të rreme nuk po ballafaqohet me një fushatë agresive të fakteve”, ka deklaruar ajo.