Çitaku: Thirrjet ‘hajn’ e ‘tradhtar’ i ka ndërtuar Vetëvendosja

Çitaku: Thirrjet ‘hajn’ e ‘tradhtar’ i ka ndërtuar Vetëvendosja

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kontekstin dhe diskursin publik në të cilin me një lehtësi të padurueshme i thuhet tjetrit “hajn” e “tradhtar” e ka ndërtuar sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje.



Ish-ambasadorja kosovare në ShBA u shpreh se “ishte e dhimbshme deri në palcë pamja e sotme e një burri në moshë të rritur (i cili tregonte për veten e tij se vërtetë është “hajn”) u drejtohej veteranëve të UÇK-së si “hajna”, gjersa e hyjnizonte Albin Kurtin”.

“Edhe turpi ka emër”, shkroi ajo në Facebookun e saj.

Reagimi i Çitakut vjen pasi një qytetar është konfrontuar verbalisht me disa persona pas përfundimit të protestës së sotme të organizuar nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër kryeministrit Albin Kurti.

Ai i ka quajtur “hajna” veteranët e UÇK-së. Në këtë rast, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës.

Me moton “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë” fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar sot kundër deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti me rastin e 5-vjetorit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Ditë më parë Kurti ka thënë se Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij, për çka edhe u kritikua.

Related Articles