Presidentja e Kosovs, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut në Bruksel, perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Presidentja foli edhe për angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë, duke përçuar synimin e qartë të institucioneve tona që procesi të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Osmani theksoi se marrëveshja mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë është hap pozitiv në këtë aspekt, duke përmendur se zbatimi është shumë i rëndësishëm.
E para e shtetit ritheksoi urgjencën për progres në marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, e cila mbetet plagë e thellë në shoqërinë tonë. Tutje, presidentja Osmani foli mbi nevojën për të pasur një mekanizëm të qartë zbatimi duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.
Osmani dhe Lajçak folën edhe për procesin e stërvonuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe nevojën për të ecur përpara urgjentisht, duke qenë se ky proces është i një rëndësie të madhe për kredibilitetin e BE-së në Kosovë.