Çka po ndodh me monedhat false prej 2 eurove në Kosovë, Policia jep detaje për “Enigmën”

Çka po ndodh me monedhat false prej 2 eurove në Kosovë, Policia jep detaje për “Enigmën”


Monedha false prej 2 eurove në vitin 2023 në Kosovë ka qarkulluar në masë të madhe, ku shumë qytetarë e biznese e qytetarë ranë pre e mashtrimeve me to, shkruan Gazeta “Enigma”.

Gati në të gjitha qytetet e Kosovës qytetarët janë duke pasur problem me kryerjen e pagesave pasi që shumë biznese nuk po e marrin më monedhën prej 2 eurove, por që në kusur e kthejnë.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, të cilët dhanë detaje.

“Policia e Kosovës i trajton të gjitha rastet bazuar në procedurat e parapara ligjore, kështu, çdo herë kur ka informacion se po kryhet ose është kryer një rast që është i inkriminuar në bazë të Kodit Penal (KP), ndërmerr masat dhe e trajton atë bazuar në procedurat e parapara.

Edhe raste e ‘Falsifikimit të parasë’, policia i trajton bazuar në atë që u tha më lartë”.

Nga Policia e Kosovës tutje për “Enigmën” kanë dhënë detaje të rasteve të falsifikimit të parasë.

“Gjatë vitit të kaluar (2022), policia ka iniciuar 804 raste të “Falsifikimit të parasë’, kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti (2023) ka iniciuar dhe trajtuar 486 raste të tilla”, thuhet në përgjigjën e tyre për Gazetën “Enigma”.

Arrestohen gjashtë persona, kapen me 85 mijë euro Sot janë arrestuar tre persona nga Kosova dhe tre të tjerë nga Maqedonia e Veriut në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria Speciale.

Ata dyshohen për veprën penale “Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim)”.

Në këtë operacion janë sekuestruar thasë me monedha 2 euroshe metalike në vlerë prej 85 mijë e 10 eurosh.

“Po ashtu, janë sekuestruar katër vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë telefona celularë”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Personat e arrestuar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Kujdes nga monedhat dhe kartëmonedhat e falsifikuara” Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, përmes një postimi në profilin tij në Facebook ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga monedhat e falsifikuara që janë duke qarkulluar në vendin tonë.

“Të dhënat e fundit të disponueshme tregojnë se ka vazhduar rritja monedhave-kartëmonedhave në qarkullim që janë të falsifikuara”, ka deklaruar Mehmeti.

Tutje ai ka shtuar se “ndonëse nuk mund të ketë të dhëna të sakta se sa paratë tilla janë në qarkullim, në këtë rast tregtarët, qytetarët janë në kontakt të vazhdueshëm me paratë, i kanë jo të panjohura eksperiencat me paratë e falsifikuara”.

Sipas Mehmetit qytetarët nuk janë të informuar mjaftueshëm për sigurinë e një monedhe dhe metodat që përdoren për identifikim e tyre.

“Sipas mendimit tim qytetarët janë pak të informuar mbi elementët e sigurisë së një monedhe apo kartmonedhe dhe metodat që përdorin për identifikimin e tyre, në anën tjetër tek institucionet bankare përballja me këto lloj monedhash-kartëmonedhash është e shpeshtë, por metodat që përdoren për identifikimin e tyre, padiskutim janë tejet të sofistikuara”, ka theksuar ish-guvernatori i BQK-së.

“Mund të themi që ka tentativa, sidomos në Kosovë që është një ekonomi që qarkullon me vlera të larta në kesh, në ndryshim me shtetet e tjera, ku janë të zhvillura edhe metoda alternative të tjera dhe paraja fizike ka ardhur në rënie si vlerë”, tha ai.

Mehmeti: Tentativat për para të falsifikuara mund të jenë të shpeshta, por masat që merren gjithashtu duhen të jenë të shpejta – kujdes me paratë ‘cash’! Sipas tij klientët nuk janë në dijeni se janë duke futur para false në bank.

“Përgjithësisht klientët nuk janë në dijeni, që janë duke futur një monedhë- kartëmonedhë të falsifikuar në bankë. Sektori bankar në Kosovë përdor identifikimin e kamerave apo me aparatet e numërimit të kesh-it, që përveç numërimit bëjnë dhe identifikimin e elementëve të sigurisë”, ka deklaruar Mehmeti.

Ish-guvernatori i BQK-së tutje ka shtuar se “në këto raste thirrja ime për qytetarët është që duhet të shmangin pagesat me ‘cash’, pasi mundësitë për të rënë në kontakt me monedhë- kartëmonedhë të falsifikuara janë më të mëdha”.

“Çdo biznes, por edhe qytetari do të duhet të jetë i kujdesshëm në qarkullimin e kartëmonedhave. Veprimet financiare me monedha-kartëmonedha duhet t’i bëjnë nëpërmjet bankave për të evituar keqkuptimet, për të evituar mundësinë që dikush në një moment të caktuar t’i pasojë një monedhë- kartëmonedhë të dyshuar si të falsifikuar”, ka shkruar ai.

Trajnime për siguri “trajnimet mbi elementët e sigurisë së monedhave-kartëmonedhave do të ishin të domosdoshme të mbahen nga institucione të specializuara”, tha Mehmeti.

Sipas tij “në këtë rast edhe vet institucionet që kanë qarkullime të mëdha të parave ‘cash’ duhet të investojnë në trajnime të stafeve të tyre mbi elementët e sigurisë së monedhave- kartmonedha, dhe njëkohësisht kushdo që qarkullon apo ka lidhje me përpunimin e ‘cash’-it të pajiset me të njëjtat makineri dhe të përditësohet çdo vit, në këtë rast kjo mund të ju duket si kosto, por kjo do të mbajë larg këta persona që duan të kanalizojnë monedha-kartëmonedha false”.

Mehmeti ka theksuar se parandalimi i pareve false që janë duke qarkulluar është në të mirë të qytetarëve dhe bizneseve.

“Parandalimi i monedhave-kartëmonedhave të dyshuara false është në të mirë qytetarëve , bizneseve etj. se përveçse krijon një kosto monetare, në momentin që një subjekt ka arkëtuar monedha-kartëmonedha dhe banka e njofton që disa prej tyre janë false, atij i cenohet dhe besueshmëria, që është edhe më e rëndësishme”, thuhet tutje në njoftimin e tij.

“Në fakt, edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës duhet vazhdojë me marrjen e masave për mbrojtjen nga falsifikimi, në këtë rast edukimi financiar duhet që nëpërmjet trajnimeve, kualifikimeve dhe pjesëmarrjes në seminare dhe workshop-e, të bëjë vetëdijesimin e qytetarëve, për t’i informuar, orientuar dhe trajnuar ata, lidhur me elementet e sigurisë të kartëmonedhave, si dhe të faktorëve që sjellin minimizimin e falsifikimit të tyre”, ka përfunduar Mehmeti.

Kujtojmë se kompania rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” që nga fillimi i vitit 2023 ka ndaluar marrjen e kësaj monedhe nëpër të gjitha arkat që ka në Prishtinë. Vendimi ka ardhur pasi bankat ia kanë refuzuar një shumë parash kësaj ndërmarrjeje, për arsye se ato ishin false.

Kjo nuk është ndërmarrja e vetme e Prishtinës që ballafaqohet me këtë problem.

“Prishtina Parking” është një tjetër ndërmarrje publike e cila që nga fillimi i këtij viti ka ndaluar marrjen e monedhave metalike prej 2 eurove, pasi kanë pasur raste të shumta kur banka nuk ua ka pranuar pagesat për shkak se ato kanë qenë të falsifikuara. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles