Çmimi i kafes në disa qytete ngritet pas masave të reja – INDEP: Kjo ndalohet kategorikisht me ligj

Çmimi i kafes në disa qytete ngritet pas masave të reja – INDEP: Kjo ndalohet kategorikisht me ligj

Me ashpërsimin e masave antiCOVID dhe uljen e kapaciteteve për pranim të  klientelës nëpër kafeteri, çmimi i kafes është rritur në disa qytete të vendit nga 50 cent në 70 cent.

Lidhur me këtë ka reaguar Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Fatbardha Restelica nga INDEP ka thënë se ankesat nga konsumatorët kanë ardhur nga disa qytete si: Mitrovica, Lipjani dhe Shtimja.

Për këtë ngritje të çmimit ajo thotë se ka edhe një marrëveshje, për cka është e ndaluar me Ligjet në fuqi.

“Një nga produktet e cila konsumohet më së shumti në vendin tonë, është kafja. Qytetarët i përdorin kafenetë edhe si mundësi për shoqërim e të relaksohen si aktivitet kryesor që në vendin tonë ndodh. Andaj kemi pasur shumë raportime nga qytete të ndryshme të Kosovës për çmime të dakorduara ku çmimi i kafes është ngritur”.

“Me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës të cilin e zbaton Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, neni 4 flet për marrëveshjet e ndaluara, e cila në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë ngrit çmimin e njëtrajtshëm. Kemi pasur lajme nga Mitrovica, Lipjani dhe qyteti i Shtimes të cilët kanë thënë se shoqatat e gastronomëve të atyre qyteteve kanë ngritur çmimet në mënyrë të dakorduar, ani pse kjo ndalohet me ligj”.

Tutje ajo tha se kjo rritje i dëmton tej mase konsumatorët sepse edhe ashtu ata janë të dëmtuar ekonomikisht.

“Konsumatorët përpos që kanë qenë shumë të dëmtuar ekonomikisht gjatë pandemisë, ku shumica e bizneseve nuk kanë punuar, rrjedhimisht as qytetarët nuk kanë pasur të ardhura ekonomike. Në ndërkohë që këto çmime e dëmtojnë konsumatorin që edhe ashtu ka të ardhura të reduktuara materiale, dhe konsumatori po varfërohet”, përfundoi Restelica.

Related Articles