Çmimi Nobel 2024 në fizikë i është dhënë John Hopfield dhe Geoffrey Hinton për “zbulimet e tyre themelore” që mundësojnë mësimin e makinerive me rrjete nervore artificiale.
“Edhe pse kompjuterët nuk mund të mendojnë, makinat tani mund të imitojnë funksione të tilla si kujtesa dhe të mësuarit. Laureatët e këtij viti në fizikë kanë ndihmuar për ta bërë këtë të mundur”, tha Komiteti Nobel në një deklaratë.
Çmimi shihet si kulmi i arritjeve shkencore dhe mbart një shpërblim prej 1 milion euro.
Hopfield në Universitetin Princeton dhe Hinton në Universitetin e Torontos u vlerësuan për vendosjen e themeleve për mësimin e makinerive që fuqizuan shumë nga produktet e sotme.
“Duke përdorur koncepte dhe metoda themelore nga fizika, ata kanë zhvilluar teknologji që përdorin struktura në rrjete për të përpunuar informacionin. Kjo ka bërë që zhvillimi i mësimit të makinerive të shpërthejë” gjatë dy dekadave të fundit”, tha komiteti.
Hinton, i cili është quajtur “kumbari” i inteligjencës artificiale (AI), tha se ishte “i habitur” për të marrë çmimin.
I pyetur nga gazetarët për rëndësinë e mundshme të teknologjisë që kërkimi i tij ka ndihmuar në zhvillimin, ai tha se AI do të ketë një “ndikim të madh” në shoqëritë tona.
“Do të jetë e krahasueshme me revolucionin industrial. Por në vend që t’i tejkalojë njerëzit në fuqi fizike, do t’i tejkalojë njerëzit në aftësi intelektuale”, tha ai në një intervistë telefonike pas njoftimit.
Hinton parashikoi se teknologjia do të revolucionarizonte gjëra të tilla si kujdesi shëndetësor, duke çuar në një “përmirësim të madh të produktivitetit”.
“Por ne gjithashtu duhet të shqetësohemi për një sërë pasojash të këqija të mundshme, veçanërisht kërcënimin që këto gjëra të dalin jashtë kontrollit,” paralajmëroi ai. /Gazeta Enigma