Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se çdo propozim marrëveshje që nuk e përfshin Kosovën si shtet të pavarur dhe njohjen e saj, përkatësisht anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, është siç thotë ai “temë dhe bazë e mirë për diskutim të mëtutjeshëm”.
“Jemi larg një propozimi përfundimtar, por Serbia ka thënë qartë se cilat janë linjat e kuqe dhe ne jemi të gatshëm të bisedojmë. Është e rëndësishme të marrim pjesë në dialog”, tha Daçiq, raporton RTS.
Kryediplomati serb mes tjerash thekson se “ nuk sheh përparim në dialogun Beograd-Prishtinë pa presion ndaj Albin Kurtit”.
Siç tha Daçiq, presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të vendosë nëse do të shkojë në Tiranë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe vendimi do të jetë në interes të Serbisë.