Ministri i Punëve të Jashtme në Serbi, Ivica Daçiq, ka thënë se qeveria serbe nuk do t’i ftojë serbët në Kosovë t’i pranojnë targat “RKS”.
Ai ka deklaruar se nuk do të lejojnë të ndodhin kërcënime ndaj serbëve.
“Siç dëgjuat nga edhe presidenti Vuçiq, ne duam një kompromis, nuk duam të bëjmë asnjë lëvizje që do të interpretohej si incident apo provokim, por keni dëgjuar gjithashtu se serbët do të mbrojnë interesat e tyre”, tha Daçiq shkruan Kosovonline.
Edhe pak orë kanë mbetur për të hyrë në fuqi vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës për targat, pra për konvertimin e tyre nga ilegale në RKS.
Sipas vendimit të ekzekutivit, sanksione por jo të ashpra, do ketë për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe.
Masat e reja për targat hyjnë në fuqi nga data 1 nëntor, kurse me qëndrimin e ri qeveritar, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit.
Kurti ka thënë që pas datës 21 prill nuk mund të ketë targa të reja në Kosovë, përveç atyre RKS.
E duke iu referuar qëndrimeve eksplicite të zyrtarëve të BE-së në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, të cilat nuk i lënë shumë hapësirë Serbisë, Daçiq tha se nëse dikush dëshiron të gjejë një gjuhë të përbashkët me Serbinë, duhet të jetë i vetëdijshëm se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë Serbia.
”Ne mund të vendosim sanksione, por jo të heqim dorë nga Kosova, sepse kur ata pajtohen me atë që është interesi i Serbisë, atëherë do të pajtohemi 100 për qind. Unë ndjek politikën e shtetit, dorën e kemi të zgjatur, duhet të zgjasim dorën tjetër si mirë”, ka thënë Daçiq, duke përsëritur se në këtë rast pritet që një Serbi e “anestezuar” më lehtë ta gëlltisë pavarësinë e Kosovës, me të cilën nuk pajtohet.