Daniel Serwer: Nëse Trump lejon ndarjen e Ukrainës, pse Serbia të mos përpiqet ta kapë veriun e Kosovës

Daniel Serwer: Nëse Trump lejon ndarjen e Ukrainës, pse Serbia të mos përpiqet ta kapë veriun e Kosovës

Komunikimi jo i duhur diplomatik përtej veprimeve që nxitën reagim të gjerë ndërkombëtar po konsiderohet si diçka që duhet ndryshuar nga Qeveria pas ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë. 

Gjatë administratës së presidentit Joe Biden, përfaqësues të SHBA-së në disa raste thanë se u zunë në befasi nga Qeveria e Kosovës me veprimet e saj në veriun e populluar kryesisht me serbë. 

Mbyllja e zyrave ilegale serbe e paralajmërimi për hapjen e urës qendrore në Mitrovicë u cilësuan veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, shkruan KTV, përcjellë Gazeta Enigma.

Butrint Berisha, doktorant në Universitetin Tartu në Estoni, ka folur për rëndësinë e ndryshimit të qasjes nga ana e ekzekutivit të Kosovës. 

“Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta trajtojë me prioritet komunikimin diplomatik me të gjitha shtetet dhe organizatat. Qëndrimet politike, qofshin të kundërta, duhet transmetuar përmes mesazheve diplomatike që e artikulojnë pozicionin negociues, por nuk e stimulojnë keqkomunikimin dhe keqkuptimin, duke rrezikuar të përfundojnë në moskomunikim”, ka thënë Berisha.

Pasi mori për herë të parë detyrën në fillim të vitit 2020, Kurti pati përplasje të shpeshta me Richard Grenellin, ish-emisar për dialogun Kosovë-Serbi. Grenell e pati cilësuar Kurtin si “antiamerikan” duke thënë se ai ka kundërshtuar politikat amerikane të sugjeruara edhe nga ish-presidentët Bill Clinton e Barack Obama. Edhe pas përfundimit të mandatit të parë të Trumpit, Grenelli i cilësoi disa herë veprimet e Kurtit si rrezik për stabilitetin e rajonit.

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, vlerëson se me rikthimin e Trumpit do të inkurajohet etnonacionalizmi, që mund të jetë me pasoja për Ballkanin Perëndimor. 

“Rizgjedhja e Trumpit do t’i inkurajojë etnonacionalistët në të gjithë rajonin. Nëse Ukraina ndahet, pse Serbia të mos përpiqet ta kapë veriun e Kosovës dhe Republikën Serbe? Pse Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë? Uashingtoni madje mund të ndihmojë. Lufta do të jetë një mundësi reale. Pastrimi etnik dhe kolapsimi i shteteve mund të pasojnë. Gjatë gjithë kohës familja Trump do të përfitojë financiarisht nga investimet e financuara nga sauditët e Jared Kushner në Serbi dhe Shqipëri”, ka thënë Serwer.

Pasi u konfirmua triumfi i Donald Trumpit në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, atij i janë përcjellë urime nga udhëheqësit shtetërorë të Kosovës dhe liderët e subjekteve opozitare. 

Një post të lartë në administratën Trump është paralajmëruar se do ta marrë edhe Grenelli. /Gazeta Enigma

Related Articles