Tifogrupi i Kombëtares së Kosovës “Dardanët” kanë kërkuar angazhim maksimal nga lojtarët për ndeshjen ndaj Qipros.
Kosova do të vizitojë Qipron të mërkurën, ndërsa një ditë më vonë do ta zhvillojë ndeshjen e parë në muajin qershor në kuadër të Ligës së Kombeve pikërisht ndaj reprezentacionit qipriot.
“Dardanët” kanë premtuar organizim të madh për këtë ndeshje në vend, teksa kërkojnë angazhim maksimal nga lojtarët e Kosovës.
Postimi i plotë i “Dardanëve”:
Periudha më e bukur e vitit po rikthehet. Emocionet që sjellë kombëtarja janë unike. Pasnesër, me datë 2 qershor, luajmë me fillim në ora 18:00 në udhëtim përballë Qipros.
Rezultati i vetëm i dëshiruar është fitorja, kurse elementi që kërkohet nga ne Dardanët prej lojtarëve është angazhimi i madh në çdo pjesë të fushës për ta arsyetuar nderin e veshjes së kësaj fanelle të artë.
Njoftojmë anëtarët e Dardanëve që ditën e enjte, nga ora 15:00, do të grumbullohemi në FanClub Dardanët për ta parë ndeshjen.
Gjatë ditëve në vijim do t’ju mbajmë të informuar dhe përditësuar rreth nismave dhe planeve që kemi ndërmend t’i marrim.
Jemi përkujdesur që ky grumbullim të mos jetë dosido për nga organizimi. Do t’ua lëmë veprave të flasin më së miri.
Mirëpo, pikë së pari t’i arkëtojmë pikët e plota në Qipro.
Përpara bijtë e Dardanisë.