Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave i ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e këtij muaji kundër Maqedonisë së Veriut në kuadër të Grupit 5 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Dardanet janë stërvitur në Kampin Nacional në Hajvali nën drejtimin e përzgjedhëses Anneli Andersen, derisa atmosfera është shumë e mirë. Ndeshjen e parë Kosova e zhvillon në Shkup, të premten më 27 tetor, derisa ndeshjen e dytë në stadiumin “Fadil Vokrri”, të martën, më 31 tetor.
Në ndeshjen e parë të kësaj gare, Dardanet muajin e kaluar barazuan si mysafire kundër Bullgarisë. Dy futbollistet dardane, Feride Kastrati dhe Rrezona Ramadani, pas stërvitjes së parë u shprehen optimist për fitore në këto dy përballje me kombëtaren fqinje.