Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur edhe stërvitjen e pasditës në ditën e parë të grumbullimit për katër ndeshjet e muajit qershor në Ligën e Kombeve. Për dallim nga stërvitja e paradites, në atë të pasdites ekipi ka punuar me intensitet më të madh, teksa këtë ia kanë mundësuar edhe kushtet kilmatike që kanë qenë shumë më të volitshme.
Gjatë kësaj stërvitje është vërejtur dëshira e madhe e lojtarëve për të qenë sa më të përgatitur dhe sa më kompakt për ndeshjen e parë kundër Qipros, në mënyrë që edicionin e ri të Ligës së Kombeve ta nisinë me fitore.
Pas stërvitjes sulmuesi Vedat Muriqi ka theksuar se në një fazë të këtillë kur janë mbyllur sezonet në të gjitha kampionatet evropiane nuk është aspak e lehtë të luhen katër ndeshje radhazi me ekipin kombëtar, por është shprehur optimist për nismë të mbarë të ciklit të ri.
“Është e vështirë të luash katër ndeshje për 12-13 ditë, dhe kjo bëhet edhe më e vështirë kur kemi parasysh se është fundi i sezonit. Të gjithë futbollistët, jo vetëm te kombëtarja jonë, janë fizikisht dhe mentalisht pak më rëndë. Por, pikësëpari shpresoj të mos kemi ndonjë lëndim dhe në radhë të dytë si gjithmonë forcën tonë kryesore – shpirtin luftarak do ta zbatojmë në fushë. Do t’i tregojmë të gjithëve se këtu në Kosovë nuk është lehtë të marrin pikë. Shpresoj se do të kemi një cikël me rezultate pozitive. Në këtë nivel të futbollit nuk besoj që ka kundërshtar të lehtë. Ndeshjen e parë e luajmë me Qipron dhe nëse ajo ka ardhur në këtë nivel duke e mundur Estoninë i bjen që është ekip i mirë. Na pret një ndeshje jo e lehtë atje, por ne i dimë forcat tona dhe shkojmë për pikët e plota. E dimë që nuk jemi favorit në grup, por me forcat tona që i kemi do të arrijmë aty ky synojmë”, ka theksuar Muriqi ndër të tjera në deklaratën për faqen zyrtare të FFK-së.
Ndërkaq, mbrojtësi Mirlind Kryeziu, i cili me skuadrën e tij Zurich e fitoi titullin e kampionit të Zvicrës, ka thënë se energjinë pozitive nga titulli i fituar me klubin së bashku me Fidan Alitin do të mundohen ta përçojnë edhe në ekipin kombëtar. “Do të jenë katër ndeshje të vështira për ne, pasi kualiteti i secilit ekip që kemi në grup është i mirë. Në këto katër ndeshje duhet të japim maksimumin. Unë dhe Fidani vijmë pas titullit të kampionit me klubin tonë dhe kemi energji pozitive, por atë duhet ta përçojmë edhe në ekipin kombëtar për të arritur sukses. Shpresoj ta fillojmë këtë cikël me tri pikë”, ka thënë Kryeziu.
Kombëtarja e Kosovës nesër do ta zhvillojë seancën e radhës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali në orën 17:30.
https://www.youtube.com/embed/HzIs_m9HwSk