Kombëtarja e Kosovës sot paradite e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit për në Belfast, për ndeshjen kundër Irlandës së Veriut, në kuadër të Ligës së Kombeve, që zhvillohet, të shtunën, në orën 18:00.
Seanca e sotme stërvitore nuk ka qenë aq e ngarkuar, ngase përzgjedhësi Giresse ka punuar kryesisht në aspektin taktik dhe në rreshtimin e ekipit për ndeshjen kundër irlandezo-veriorëve.
Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin e tyre për këtë duel.
Qendërmbrojtësi dardan, Betim Fazliji, pas stërvitjes ka dhënë opinionin e tij lidhur me përgatitjet e bëra dhe për pritjet e tij rreth përballjes me Irlandën e Veriut.
“Atmosfera gjithmonë është e mirë në kombëtare. Është krenari të luash për kombin tënd. Jashtë stërvitjes kemi atmosferë shumë të mirë dhe harmoni ndërmjet veti, derisa në stërvitje punojmë të disiplinuar dhe e japim maksimumin. Besoj se jemi përgatitur mirë, pasi kushtet kanë qenë shumë të mira. Duam të shkojmë në Belfast me synimin për të dhënë maksimumin. Secili prej nesh është i motivuar për fitore në Irlandën e Veriut. Kundërshtari është i fortë. Është një ekip me fizik të lartë dhe me tempo të shpejtë, pasi luajnë futboll të stilit anglez, por ne jemi përgatitur mirë për këtë lojë dhe i kemi bërë zgjidhjet e duhura se s’i t’i kundërvihemi. Ne shkojmë atje me vetëbesim të lartë dhe duam t’i marrim tri pikë tjera ndaj tyre, ashtu siç i kemi marrë para tifozëve tanë“, ka theksuar Fazliji.
Ndërkaq, futbollisti i ri i Ballkanit, Lindon Emërllahu është shprehur i lumtur që iu ka dhënë mundësia të jetë pjesë e Kombëtares.
“Ftesa e Giresse ka qenë e pabesueshme për mua. Të jesh pjesë e Kombëtares është ndjenjë e papërshkrueshme. Shpresoj që edhe futbollistë tjerë të Superligës në të ardhmen të marrin ftesa nga Kombëtarja dhe ta përjetojnë këtë ndjenjë. Ekipi më ka pritur shumë mire, është thjesht një ndjenjë e papërshkrueshme. Secili prej lojtarëve më është afruar, më ka përkrahur dhe më ka pritur jashtëzakonisht mirë. Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur mjaft mirë. Atmosfera është shumë e mirë në grup, si jashtë fushës, ashtu edhe brenda fushës dhe shpresoj në rezultat pozitiv”, ka thënë Emërllahu.
Kombëtarja e Kosovës nesër në mëngjes udhëton në Belfast, ku do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para ndeshjes së të shtunës.





