Kombëtarja e Kosovës i ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e këtij fundmuaji kundër Izraelit dhe Andorrës, në kuadër të ciklit të ri kualifikues për Euro 2024.
Në stërvitjen e parë, e cila u zhvillua pasdite në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ekipi nuk ishte i kompletuar, pasi një pjesë e futbollistëve kanë bërë rigjenerim në hotel për shkak se kanë zhvilluar ndeshje mbrëmjen e kaluar.
Ndërkaq, gjatë seancës stërvitore është punuar me dy grupe, ku njëri grup ka bërë vetëm ushtrime fizike të kombinuara me vrapime të lehta dhe pasime me top, derisa pjesa tjetër kanë punuar edhe në aspektin tekniko-taktik. Atmosfera në radhët e Dardanëve është shumë e mirë, teksa lojtarët janë përplot vullnet e dëshirë që këtë fushatë kualifikuese ta nisin mbarë në mënyrë që të realizohet objektivi historik për kualifikim në Evropian.
Samir Ujkani: “Kemi filluar të përgatitemi për dy ndeshjet e para. Është shumë e rëndësishme të fillojmë mirë, sepse qëllimi ynë është të besojmë te kualifikimi edhe pse e dimë se është shumë e vështirë, pasi grupi është shumë i rrezikshëm. Kemi shumë respekt për kundërshtarët, por çdo lojë për neve është finale dhe sigurisht se në ndeshjet në shtëpi me tifozët tanë do të jemi edhe më të fortë. Besoj se mund të arrijmë qëllimin tonë për t’u kualifikuar. Sikur Izraeli edhe Rumania, por edhe të gjitha ekipet tjera janë kandidatë për t’u kualifikuar dhe për këtë arsye them se është grup shumë i rrezikshëm. Në çdo ndeshje duhet të japim maksimumin dhe grupi duhet të jetë në 100 përqindshin e tij në mënyrë që të kemi gjasa për kualifikim. Me forcat tona, bashkë me tifozët tanë të cilët do të na shtyjnë përpara mendoj se ka ardhur koha që duhet të besojmë në kualifikim”.
Zymer Bytyqi: “Fillimisht jam i lumtur që sërish jemi bashkë në kombëtare. Pres që të kemi sukses dhe të mund të arrijmë në Evropian. Kemi një grup të mirë dhe besoj që nëse e japim maksimumin tonë mund ta arrijmë kualifikimin. Ndeshja me Izrealin do të jetë shumë e vështirë por edhe ne i kemi lojtarët e mirë dhe e kemi një plan që të shkojmë atje për t’i marrë tri pikë. Jam në formë të mirë e po ashtu edhe lojtarët e tjerë që janë këtu janë në formë të mirë dhe po kalojnë mirë në klubet e veta. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Pres përkrahjen nga tifozët tanë ‘Dardanët’, pasi ata na shtyjnë të japim maksimumin tonë për t’i marrë pikët maksimale”.
Agjenda: Kombëtarja e Kosovës të martën po ashtu në Kampin Nacional në Hajvali, e zhvillon seancën e radhës stërvitore, në orën 10:30.