Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka reaguar sot, duke insistuar se sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, votimi në seancën konstituive mund të jetë i fshehtë.
Sipas tij, kjo pasi as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk e përcaktojnë mënyrën e votimit në këtë rast.
Ndër tjera ai thotë se refuzimi për të votuar për komisionin e votimit të fshehtë është edhe refuzim i një të drejte të garantuar nga ligji.
Shkrimi i plotë nga Dehari:
”AKTGJYKIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE PËR KONSTITUIMIN E KUVENDIT
Pika 178 e Aktgjykimit thotë se as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë nëse mënyra e votimit në seancën konstituive duhet të jetë e hapur apo e fshehtë dhe se gjithashtu për seancën konstituive nuk vlejnë mocionet procedurale.
Neni 57 i Rregullores së Kuvendit nuk vlen për seancën konstituive, por vetëm për seanca plenare dhe atë vetëm në rrethana të caktuara, që janë shprehimisht të cekura në Rregullore.
Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar që nuk vlen mocioni procedural në seancën konstituive. Rrjedhimisht do të ishte shkelje nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo.
Lidhur me propozimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për kryetar të Kuvendit, ka pasur 6 votime të hapura të pasuksesshme. Si kryesues i seancës konstituive në frymën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 kam propozuar votimin e fshehtë me qëllim të konstituimit të Kuvendit.
Vota për, kundër ose abstenim për komisionin për votimin e fshehtë nënkupton shprehjen e vullnetit të deputetëve për mënyrën e votimit. Normativisht, njëra mënyrë e votimit nuk ka më shumë vlerë a peshë sesa mënyra tjetër.
Refuzimi i deputetëve për të votuar komisionin është refuzim për të realizuar votimin e fshehtë, pra refuzim për realizimin e një të drejte, që e garanton Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”.