Deklarata e Asamblesë gjithë-serbe, Tahiri: E vërtetojnë mendësinë ‘millosheviqiane’

Deklarata e Asamblesë gjithë-serbe, Tahiri: E vërtetojnë mendësinë ‘millosheviqiane’

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas seancës së përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republika Sërpskas në Beograd ku u mbajt “Asambleja gjithë-serbe”.

Tahiri tha se deklarata e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithë-serb”, e ku përmendet se Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë” e vërtetojnë mendësinë “millosheviqiane”.

“Deklarata e të ashtuquajturit “Kuvendi gjithëserb” ku përmendet që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, vërtetojnë mendësinë millosheviqiane, e cila rezultoi me disa lufta në Ballkan, gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë”.

“Deklarata të tilla bie ndesh edhe me thirrjet perëndimore për normalitet në Ballkanin Perëndimor dhe me Marrëveshjen e Dejtonit”, shkroi Tahiri, transmeton Klankosova.tv.

Në seancën e sotme mes qeverisë serbe dhe asaj të Republikës Sërpska u miratua njëzëri “Deklarata për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike  dhe të Ardhmen e Përbashkët të Popullit Serb”.

Deklarata e dy qeverive u bë në seancën në kuadër të “Asamblesë gjithë-serbe”, e cila nën moton “Një Popull, një Parlament – Serbi dhe Sërpska” u mbajt sot në Beograd.

Ky dokument përmban 49 pika, nga të cilat, pika 11, 12, 13 dhe 14 i dedikohen Kosovës.

Aty bëhet thirrje që Kosovës t’i referohet si “Kosovë dhe Metohi”, ndërsa kërkohet po ashtu që të zbatohet në tërësi Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, si dhe të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Related Articles