Në përvjetorin e 112-të të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në ditën e Flamurit, Kryetari i Lëvizjes, njëherazi kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë shtetërore në Vlorë, për të vazhduar me homazhe në Prekaz.
Në Prekaz, kryeministri, Albin Kurti, theksoi se 28 Nëntori, si datë themelore në historinë tonë kombëtare, lidh Skënderbeun, Ismail Qemalin dhe Adem Jasharin, dhe në të njëjtën kohë shpreh bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha trojet dhe diaspora, në kujtim dhe nderim të sakrificave të bëra për liri dhe pavarësi.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Nga Vlora erdhëm në Prekaz, për shkak se 28 Nëntori ka nisur me Skënderbeun në Krujë, ka vazhduar me Ismail Qemalin në Vlorë dhe së fundmi në luftën çlirimtare edhe me Adem Jasharin dhe Jasharët këtu në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes shqiptare.
28 Nëntori është datë themeltare e historisë, e vetëdijes kolektive e identitetit kombëtar të shqiptarëve ngado që janë. Andaj këtu në Prekaz kanë ardhur njerëzit nga të gjitha trojet ku banojnë shqiptarët dhe i popullojnë ato gjithnjë në mënyrë autoktone në Ballkan, por edhe nga mërgata jonë, për ta kujtuar e përkujtuar e rikujtuar se flamurin e kemi të kuq për shkak se është derdhur shumë gjak për liri e për pavarësi, ndërkaq shqiponjën e zezë në mes për shkak se jemi komb krenar sikurse shkaba dykrenare.
Ua uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë festën e Pavarësisë së Shqipërisë, të flamurit kombëtar shqiptar, duke përmendur përveç Prekazit, Vlorës dhe Krujës gjithashtu edhe Llaushën aty ku në vitin 1997 Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj e shpallën botërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila ishte bartëse e kryengritjes sonë dhe faktori kryesor që e bëri çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999.
Falënderim i përzemërt dhe mirënjohje e thellë për të gjithë ata që kontribuan më krejt çfarë ditën e munden për lirinë, për zhvillimin, demokracinë, bashkimin, prosperitetin e shqiptarëve e lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë nga të gjitha trevat dhe në të gjitha epokat historike.