Deklarohen nga Presidenca për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve në veri pas incidenteve të fundit

Deklarohen nga Presidenca për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve në veri pas incidenteve të fundit

Incidentet e së martës mbrëma në veri të Mitrovicës, ku u sulmuan me granata dore zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në këtë pjesë, kanë ngritur pikëpyetje nëse duhet të mbahen apo jo zgjedhjet në katër komunat veriore.

Lidhur me mundësinë e shtyrjes së mbajtjes së zgjedhjeve, Bekim Kupina këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se kjo u takon institucioneve të Kosovës.

“Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja”, ka thënë Kupina.

Ai ka shtuar se presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftoj subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin.

Ndryshe për situatën në veri sot ka pasur reagime nga ambasadorët e akredituar në Kosovë, të cilët i kanë dënuar incidentet derisa janë shprehur të shqetësuar se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve.

E nga Qeveria e Kosovës janë shprehur se po presin vlerësimin e situatës në veri për hapat e mëtejmë.

“Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka deklaruar zëdhënsi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. 

Related Articles