Deklarohet komandanti i KFOR-it: Në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat

Deklarohet komandanti i KFOR-it: Në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat

Komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutaş, ka deklaruar se synimi i këtij misioni të NATO-s është të parandalojë përshkallëzimin.

Por, në rastin se kjo veç ndodh, ai u shpreh se janë të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tyre.

Ai ka theksuar se pas agresionit të grupit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe sulmeve ndaj trupave të KFOR-it nga protestat e serbëve në fillim të majit, NATO-ja ka dislokuar forca rezervë shtesë me kapacitete shtesë.

Sipas tij, KFOR tani është duke zhvilluar më shumë aktivitete, duke e katërfishuar praninë në veri të Kosovës dhe trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe ato përgjatë vijës kufitare.

Këto ai i konsideron si hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij.

I pyetur se nëse mobilizimi ushtarak i Serbisë është një paralajmërim për luftë në Kosovë, dhe në rast të ndonjë sulmi direkt nga ushtria serbe në territorin e Kosovës, Ulutaş është shprehur: “Siç e kam thënë më parë, nuk dua të spekuloj për një skenar të ardhshëm. KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare dhe vendore dhe unë e kam bërë prioritet timin të nxis komunikimin dhe koordinimin e bazuar në besim”.

“Jemi në kontakt të ngushtë me shefin e mbrojtjes së Serbisë, si dhe me institucionet në Kosovë dhe me organizatat e sigurisë të Kosovës. Kjo është e rëndësishme për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta”, tha ai për Klan Kosova.

Ndër tjera, Ulutaş ka theksuar se situata në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi është e qetë, por sipas tij, mbetet e brishtë, pas rritjes së tensioneve në muajt e fundit.

Related Articles