Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku, është deklaruar për ngjarjen e mesnatës të së shtunës ku u plagosën dy policë, duke thënë se polici Enver Smakiqi ka qenë ai që ka shtënë me armë në drejtim të kolegut të tij, dhe jo ai.
“Polici Smakiqi pa asnjë arsye ka përdorur armën mbrëmë dhe ka plagosur kolegun e tij, derisa qëllim cak kishte vëllaun tim Faton Lushtaku”, ka thënë ai në versionin shpjegues të tij, për gazetën Blic.
“Më vjen keq për gjithë çfarë ka ndodhur mbrëmë, në përfshirjen në një inicident krejtësisht të panevojshëm, ku pasoja kanë mundur të jenë edhe me të mëdha për faktin e veprime anormale dhe agresive të policit Enver Smakiqi”, ka thënë ai.
Mes tjerash, Nuredini ka kundërshtuar raportimet se ka qenë ai që ka shtënë me armë, duke e mohuar dhe se ka qenë duke bartur një të tillë.
“Polici është plagosur nga arma e kolegut të tij Enver Smakiqi, gjë që mund të vërtetohet lehtë nga tri gëzhojat e plumbave të shkrepur nga arma dhe dora e policit Enver Smakiqi. Krejt çka unë po them tani, besoj se e konfirmon edhe policia pas hetimeve dhe analizave e ekzaminimeve të policisë”, është shprehur më tej ai.
Më tej, ai thotë se ngjarja ka ardhur si pasojë e shqiptimit të një dënimi ndaj të birit të tij nga zyrtari policor në fjalë.
“Polici Enver Smakiqi pasi ka shqiptuar një gjobë ka vazhduar duke malltretuar fizikisht djalin tim Arberin. Unë kam qenë duke u kthyer në shtëpi me dy vëllezërit e mi dhe e kam parë djalin me veturë ndalur, ku jemi ndalur të shikojmë se çka është problemi, por sjelljet e policit Enver Smakiqi kanë qenë jashtëzakonisht jo normale dhe të dhunshme”.
Polici Enver Smakiqi ka filluar konflikt me vëllain tim Fatonin, pastaj ky polic ka nxjerrë armën të cilën ka shkrepur dy plumba, të cilë kanë shkuar huq. Por fatkeqësisht plumbi i tretë ka goditur në këmbë policin Geci. Fatoni dhe vëllezërit e mi kanë reaguar në vetëmbrojtje, ndërsa unë gjatë tërë kohës jam munduar të evitoj konfliktin”, ka vazhduar më tej ai.
Madje, sipas pretendimeve të tij, ishte polici Smakiqi ai që kishte sjellje jo të mira, duke thënë se “kemi qenë në rrezik të na vriste të gjithëve”.
Raportimet se ai ka qenë sulmuesi ndaj policëve, ai i ka quajtur “gënjeshtra dhe tendencioze”.
Për rastin ka reaguar edhe ministri i brendshëm Xhelal Sveçla
Sulm të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë së Kosovës, e ka quajtur ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, sulmin e mbrëmshëm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.
Policët duhet të jetë paprekshmërisht të papenguar, është shprehur ministri Sveçla në një reagim në faqen e tij në Facebook.
Mes tjerash, ministri u shpreh se pret që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe paekuivoke për sulmuesit.
“Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë. Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi”, shkroi ministri.
“Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e republikës. I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t’i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel. Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti”, shkroi mes tjerash ai.