Më 26 nëntor një shqiptar me nënshtetësi norvegjeze dyshohet se ka vdekur në një burg të Beogradit. Derisa Ministria e Jashtme norvegjeze ka konfirmuar vdekjen e shtetasit të saj, një gjë të tillë nuk e ka bërë ajo në Kosovë.
Ministria e Jashtme të Norvegjisë ka konfirmuar se “një person me nënshtetësi norvegjeze ka vdekur në një burg në Serbi”, por nuk dhënë detaje nëse viktima është një kosovar.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë është në dijeni për vdekjen e një shtetasi norvegjez në Serbi. Shërbimi i Jashtëm norvegjez i ka njoftuar të afërmit dhe ka ofruar ndihmë konsullore. Autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve. Çdo pyetje në lidhje me një hetim të mundshëm të rrethanave të vdekjes duhet t’u drejtohet autoriteteve serbe”, kanë thënë ata.
Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se nuk ka arritur të marrë ndonjë informatë që mund ta konfirmojnë rastin.
Në përgjigje theksohet se as mediat serbe nuk kanë raportuar lidhur me rastin.
“Me të marrë njoftimin për rastin e Artan Zymberajt, të premten në mëngjes, më 2 dhjetor 2022, Misioni i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Beograd ka kontaktuar me autoritetet serbe, respektivisht me Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për ta konfirmuar rastin. Nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë na është komunikuar se janë duke u përpjekur të marrin të dhënat e nevojshme nga autoritetet tjera serbe, por deri tani nuk na kanë ofruar ndonjë informatë me të cilën e konfirmojnë rastin. Po ashtu, mediat serbe nuk kanë raportuar për vdekjen e z. Artan Zymberaj. Tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se Misioni i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Beograd dhe ambasada e Republikës së Kosovës në Norvegji janë në kontakt dhe në dispozicion të familjes Zymberaj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme për Klankosova.